38 milionë euro u tha se u ndanë për përfundimin e rrugës nacionale Prishtinë – Besi – Podujevë, para këto që më 9 janar të 2023-ës ishin derdhur në llogarinë bankare të Ministrisë së Infrastrukturës që udhëhiqej nga binomi Liburn Aliu e Hysen Durmishi. Por, këto para mbeten aty.
Rruga as sot e kësaj dite nuk u krye.
78 kompani ishin interesuar që të ndërtonin këtë rrugë, në këtë proces tenderimi që ishte ndarë në 5 lote, raporton KIKS Kosova.
Edhe pse magjistralja Prishtinë – Podujevë ishte premtuar që me ardhjen në pushtet të kësaj qeverie ku në 2022-ën, Aliu në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të zotohej se kjo rrugë do të përfundonte brenda disa muaj.
U premtua edhe në 2023-ën.
Në verën e atij viti, kryeministri Kurti i vizitoi personalisht punimet që po bëheshin aty. Krah tij qëndronte dyshja e pandarë, Aliu-Durmishi.
Sot, në janar të 2025-ës, rruga e ndërtuar duket se është larg nga prerja e shiritit.
Kjo nuk i pengoi Kurtit që edhe në këto zgjedhje, rrugën e Podujevës ta përdorte për të mbledhur vota, madje dha edhe një zotim të ri.
Sipas tij, tashmë një datë tjetër për përfundimin e këtij projekti u bë stina e pranverës.
Por e vërteta e rrugës Prishtinë-Besi-Podujeve fsheh brenda vetes një mal me shkelje, e me bashkëpunime mes këtij pushteti dhe atyre të kaluarve.
Kur tenderi u hap dhe kompanitë u përzgjodhën sipas preferencave të ministrisë e konkretisht Hysen Durmishit, dhjetëra ankesa shkuan në Gjykatën e Tenderëve.
Pa pritur fare afatet ligjore, e me ankesa aktive në Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OShP), për Lotin 1 të këtij tenderi, Durmishi vendosi firmën dhe dha urdhrin për nisjen e punimeve të kësaj rruge.
Ky fakt e çoi atë në bankën e ta akuzuarve dhe la pa punë shefin e atëhershëm të prokurimit në këtë ministri, Nexhat Krasniqin.
Kallëzimi Penal i operatorit ekonomik “Sallahu”, rezultoi me bazë faktike pasi në prillin e 2024-ës, zëvendësministri Hysen Durmishi ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale lidhur me nënshkrimin e kësaj kontrate
Në tetor të vitit 2023, emisioni Kiks Kosova kishte prezantuar një hulumtim mbi dallaveret e kësaj rruge dhe allishverishet që kishte bërë kjo Ministri me këtë projekt 32 milionësh.
Kiksi prezantoi atëkohë se si Ministria kishte diskriminuar operatorët ekonomikë të përgjegjshëm e më të lirë, për të favorizuar edhe kontrata të atyre që ishin të afërta me pushtetin.
E përveç kësaj, Durmishi e Krasniqi vendosen të vazhdonin procesin e prokurimit ani pse në OShP kishte dhjetëra ankesa për dyshimet korruptive, dhe sipas ligjit asnjë proces nuk mund të vazhdojë deri në momentin e shqyrtimit të të gjitha ankesave.
Blerta Huruglica ka qenë eksperte e OShP-së, e cila ani pse i kishte renditur të gjitha shkeljet në këtë proces prokurimi, çuditërisht në ekspertizën e saj e kishte shkruar se “meqë Ministria kishte nisur punime pa pritur OShP, ani se ka shkelje të mëdha të ligjit të prokurimit, mund të vazhdohet me procedurat e prokurimit”.
Pra eksperti shqyrtues i OShP-së i kishte dhënë vetes të drejta që nuk i takojnë me ligjet e Republikës së Kosovës.
Por më pas, ekspertja në fjalë ishte tërhequr nga ky pretendim.
Duket se e gjithë kjo histori e hallakamë me këtë projekt do të sjellë edhe episode të reja në një serial të gjatë të problemeve të Qeverisë me dallaveret dhe autostradat. /Klankosova.tv