Kampioni i Kosovës në futboll, FC Drita, do të luajë në fazën e dytë të Ligës së Evropës, e ku për kundërshtar shorti i caktojë që të ketë një rival nga shteti fqinj i Maqedonisë së Veriut, e i cili është, FK Sileks.
Ky duel i cili do të zhvillohet me 17 shtator pritet të vë në sfidë skuadrën kosovare, pas eliminimit nga Liga e Kampionëve si rezultat i pandemisë COVID-19, ku një futbollist i tyre kishte rezultuar pozitiv në Zvicër, me ç’rast kishin humbur ndeshjen parakualifikuese kundër Lienfildit të Irlandës së Veriut me rezultatin zyrtar, 3:0.
Të vetdishëm për sfidën që i pret në përballjen e tanishme ndaj Sileksit, janë edhe dy nga futbollistët e kësaj skuadre, Ardian Limani e Izair Emini por edhe drejtori sportiv i klubit, Valon Zymberi.
Valon Zymberi, drejtor sportiv: Jemi të kënaqur me shortin
Drejtori Sportiv i Drites, Valon Zymberi i tha klankosova.tv se është i kënaqur me shortin e djeshëm në Ligën e Evropës.
Sipas tij, gjasat janë reale për kalim tutje të kësaj faze, por që favorizon ekipin kundërshtar si shkak i fillimit të kampionatit në Maqedoni të Veriut.
“Mendojë që në këtë garë nuk ka kundërshtar të lehtë, të gjithë janë ekipe të mira andaj duke parë ekipin rival që kishin në ato vazo, besojë që jemi të kënaqur me shortin”.
“Sileksi është kundërshtar që ka ngritje vitet e fundit, ne nuk është që mund ta përcjellim shumë ligën e Maqedonisë, por trajneri jonë është nga Shkupi dhe i njeh mirë cilësitë e tyre”.
“Gjasat janë reale për të kaluar tutje por mendoj që pak me favorit e shoh ekipin rival sepse ata tashmë kanë filluar kampionatin dhe mund të jenë në ritmin e ndeshjeve për dallim prej nesh që nuk kemi zhvilluar ndeshje që nga loja me Inter Eslacdes në parakualifikime të Championsit, gati një muaj më parë”.
‘Ne kemi punuar shumë dhe mendojë që e kemi bërë maksimumin për të përgatitur për këtë garë sepse e kemi ditur që nuk do të ketë kundërshtarë të lehtë”.
“Çështjen e pandemisë jemi mundur që ta menaxhojmë disi por që është shumë e vështirë. Ne si FC Drita do të mundohem që të vendosim rregulla më strikte për këtë periudhë dhe kjo do të jetë e mundur vetëm falë profesionalizmit të lojtarve dhe stafit që të ruhemi sado pakë nga kjo pandemi. Masat të cilat i kemi marrë ekipet e mëdha evropiane janë të pamundura për ekipet e rajonit andaj këtë duhet ta dimë si opinion i futbolldashës”.
Ardian Limani, kapiten i ekipit:Kemi gjasa të mira për kalim tutje
Kapiteni i ekipit te Dritës, Ardian Limani tha se shorti ka qenë i favorshëm për ta, duke ditur se trajneri i ekipit, Ardian Nuhiu tashmë veçse është përballur ndaj tyre.
Limani, gjithashtu shpreson që Drita mos të ketë probleme me COVID-19, njësoi siç iu ndodhi në Zvicër, një muaj më parë.
“Mendojë që shorti ka qenë i mirë për ne, kjo për disa arsyje. E para është që do të luajmë në Shkup dhe nuk do të udhëtojmë shumë, e dyta, një kundërshtar që është shumë më i lehtë të analizohet sepse trajneri ynë i njeh mirë rivalët pasi më parë është përballur ndaj tyre”.
“Ne kemi gjasa të mira për të kaluar këtë fazë, por duhet respektuar ne maksimum kundërshtarin”.
“Për sa i përket testimeve me COVID-19, ne si ekip do të jemi shumë me të kujdesshëm dhe do t’i marrim masat më herët për të qenë plotësisht të gatshëm për këtë sfidë”.
Izair Emini, futbollist i ekipit: Nuk njoh rivalët, por njoh disa nga futbollistët e tyre
Futbollisti i kësaj skuadre që vjen nga Maqedonia e Veriut, Izair Emini, ka thënë se nuk e njeh kundërshtarin por që njeh disa prej futbollistëve që luajnë në atë skuadër.
Sipas tij, ndeshja e cila zhvillohet vetëm për 90 minuta, konsiderohet si një finale.
“Unë personalisht nuk e njoh shumë mirë kundërshtarin por e shoh që këtë vit ata kanë rezultate pozitive, gjithsesi njoh edhe disa prej futbollistëve të tyre”.
“Është një ndeshje dhe llogaritet si finale, kështu që ne do të japim më të mirën për kalim tutje në këtë raund”.
“Shpresojmë të kemi edhe fatin me vete dhe të shkojë ashtu si kemi dëshirë ne, ku tashmë rastin në Zvicër ka mbetur prapa krahëve por që duhet të jemi të kujdesshëm në këtë aspekt”.
Kujtojmë se skuadra maqedonase, Sileks, në radhet e veta ka pesë futbollistë serbë, e të cilët priten të jenë pjesë e formacionit bazë në duelin e 17 shtatorit ndaj Dritës.