Sipas koalicionit të OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, deri në orën 17:00, në nivel vendi kanë votuar rreth 38 për qind e qytetarëve me të drejtë.
Ismet Kryeziu nga DnV, në një konferencë për media ka thënë se kjo është ngritje e ndjeshme në krahasim me zgjedhjet e mëhershme, e sidomos ato të vitit 2017 për zgjedhjet parlamentare.
Ai ka shprehur shqetësimin për numrin e madh të asistimeve të evidentuara, teksa ka thënë se bëhet fjalë për më shumë se 23 mijë raste, ndërsa ka thënë se mbi 70 janë raste të asistimeve në më shumë se një rast nga i njëjti person.
Sipas Kryeziut, në 41 raste kanë qenë të përfshirë edhe komisionarët.
Për publikimin e votës përmes fotografive ai ka kërkuar të merren masat nga institucionet shtetërore.
“Cenimi i fshehtësisë së votës është problem që ka përcjellë procesin zgjedhor, por përmes bërjes publike së votës, kjo ndërlidhet me supozimin tonë që janë të kushtëzuara me blerjen, për të dëshmuar orientimin apo votën e tij qoftë duke e bërë publike qoftë duke e fotografuar. Publikimi i fletëvotimit është raportuar në 17 raste”, ka deklaruar ai.