Mëngjesin e djeshëm është sulmuar fizikisht kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Lajmin për Express e ka konfirmuar dje zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Driton Rugova.
“Sot rreth orës 08:50, në rrugen Bill Klinton, është sulmuar nga perona të dyshuar. Kryetari i Komunës së Pejës i cili ka pësuar lendime trupore, të dyshuarit janë arrestuar”, ka thënë Rugova.
Ndërsa, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, ka thënë se Policia e ka dërguar Muhaxherin në spital për të parë natyrën e lëndimeve.
“Informata është ende jo zyrtare, por ka qenë i sulmum fizikisht në mëngjes nga një person edhe policia e ka dërgu Kryetarin në Spital për me pa natyrën e lëndimeve. Tash prokuroren e dërgova në vend të ngjarjes dhe të kontakton direkt me kryetarin. Personi që e ka sulmu është ndalu dhe tani do të vazhdojmë me masa ndaj tij”, ka deklaruar Kurmehaj dje për Express.
Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.
Ai tha se në koordinim të plotë me Policinë po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti.
“Dy persona janë ndaluar për 48 orë për shkak se kanë sulmuar Kryetarin e Komunës së Pejës dhe i kanë shkaktuar lëndime trupore. Të njëjtit janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe janë ndaluar për 48 orë nga prokurori i shtetit. Gjithashtu janë duke u marrë të gjithë veprimet e nevojshme në koordinim me Policinë e Kosovës për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti”, ka thënë Nikçi dje.
Kush reagoi?
E pas kësaj ndodhie ka pasur shumë reagime. Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Muhaxherin s’mund ta ndalin e as ta frikësojnë.
Ai u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të mbajnë përgjegjës ata që e sulmuan.
“Gaz Muhaxherin as s’mund ta ndalin e as s’mund ta frikësojnë. Është i gatuar ndryshe ky burrë! Organet e drejtësisë të japin rezultate të shpejta e të mbajnë përgjegjës ata që me argumentin e dhunës e urrejtjes provojnë të ndalin një udhëheqës e njeri të lirë”, ka shkruar Abdixhiku, teksa ka publikuar edhe një foto bashkë me Muhaxherin.
E përveç bashkëpartiakëve, reagime ka pasur edhe nga partitë tjera.
Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëendosje, Gramos Agusholli, e ka quajtuar këtë akt të shëmtuar dhe të pabesë.
Ai u ka bërë thirrje organeve të rendit që të ndërmarrin masat e nevojshem për të sjellë autorët para drejtësisë.
“Pavarësisht dallimeve apo pakënaqësive, siguria dhe shëndeti i kryetarit të qytetit duhet të jetë prioritet për të gjithë”, ka shkruar Agusholli.
E Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e ka quajtur akt të ulët dhe të papranueshëm.
Krasniqi ka thënë se drejtësia duhet të vihet sa më shpejt në vend dhe veprime të tilla nuk duhet të tolerohen.
“Sulmi ndaj Kryetarit Gazmend Muhaxheri, është akt i ulët dhe i papranueshëm. Drejtësia, duhet të vihet sa më shpejt në vend dhe veprime të tilla nuk duhet të tolerohen”, ka shkruar Krasniqi.
Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, i cili njëherësh është edhe kryetar i Mitrovicës, ka reaguar pas sulmit fizik ndaj Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxherit.
Hamza ka kërkuar që rasti të adresohet dhe të dënohet sa më shpejt nga institucionet e rendit dhe ligjit.
“Sulmi fizik ndaj Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, është një akt i ulët dhe i papranueshëm, i cili duhet të adresohet dhe të dënohet sa më shpejt nga institucionet e rendit dhe ligjit. Kosova ka nevojë për stabilitet, normalitet dhe bashkëpunim.”, ka shkruar Hamza.
Ndërkaq, kryetari i AAK-së dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj e ka quajtur si një akt qyqar, sulmin fizik të ndodhur sot ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Haradinaj ka thënë se drejtësia duhet të zbardh motivet e sulmit dhe të jetë e pa kompromis në ndëshkimin e sulmuesve.
“Qyqar e skajshmërisht i dënueshëm sulmi fizik mbi kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherin! Drejtësia, pas arrestimit të sulmuesve, të zbardh motivet e këtij sulmi dhe të jetë e pakompromis në ndëshkimin e tyre! Dhuna të goditet në kokë e dhunuesit të rrijnë prapa hekurave. Lehtësues lajmi që Kryetari Muhaxheri është mirë me shëndet!”, ka shkruar Haradinaj.
Reagim ka pasur edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Ai ka thënë se një akt i tillë është i papranueshëm në shoqërinë kosovare që mjet dhe qëllim ka vetëm demokracinë.
Kreu i Kuvendit ka thënë se dhuna s’ka qenë zgjidhje asnjëherë dhe ka kërkuar nga organet e rendit zbardhjen e ngjarjes dhe dhënien e dënimit të merituar.
“E dënoj sulmin ndaj Kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherit, si një akt të papranueshëm për shoqërinë tonë që për mjet dhe qëllim ka vetëm demokracinë. I uroj shërim të shpejtë e shëndet të plotë! Dhuna kurrë nuk ka qenë zgjidhje e kurrë nuk do të zë vend, sepse jemi të vendosur kundër saj. Mbështes organet përkatëse në punën e tyre për zbardhje të plotë të ngjarjes dhe bëj thirrje që organet e drejtësisë ta ndjekin në plotni rastin dhe sulmuesit të marrin dënimin e merituar”, ka shkruar Konjufca.
Një tjetër reagim erdhi edhe nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci. Ai tha se dhuna nuk është opsion e as zgjidhje, teksa e dënoi sulmin e sotëm ndaj Muhaxherit.
“Në Kosovën tonë, e cila është shembull i shkëlqyeshëm i një shoqërie demokratike, dhuna nuk duhet të pranohet e as nuk do të tolerohet”.
Ndërsa, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se një sulm i tillë është sulm jo vetëm ndaj institucionit të kryetarit, por edhe ndaj vlerave të paqes, demokracisë e shtetit ligjor.
Osmani ka thënë që përgjegjësit duhet të përgjigjen para drejtësisë.
“Presidentja Osmani, dënon fuqimisht sulmin ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri. Ky është sulm jo vetëm ndaj institucionit të kryetarit, por edhe ndaj vlerave të paqes, demokracisë dhe shtetit ligjor. Përgjegjësit për këtë akt duhet të përgjigjen para drejtësisë”, ka thënë këshilltari për media i presidentes Osmani.
Muhaxheri dje është vizituar nga Abdixhiku. I pari i LDK’së ka shkruar se kryetari Muhaxheri është më i fortë dhe më i vendosur për misionin e tij në udhëheqjen e Pejës.
Kreu i LDK-së ka bërë thirrje edhe një herë që të marrin hapat e domosdoshëm për mbajtjen përgjegjës të autorëve.
Por, nuk ka munguar as një reagim i vetë Muhaxherit. Ai sulmin ndaj tij e ka quajtur “të befasishëm”, derisa ka thënë se është shëndoshë e mirë, raporton Express.
“I rrethuar mes miqëve. Pas sulmit te befasishëm, jam shëndoshë e mirë. Ju falenderoj të gjithëve për interesimin”, ka shkruar Muhaxheri.
Çka tha avokati?
Dukagjin Kërveshi, avokat i Kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherit, ka dhënë detaje lidhur me sulmin e sotëm.
Kërveshi ka thënë se Muhaxheri kishte duke pirë kafe me një familjar të tij dhe se në largim e sipër është sulmuar nga dy persona.
Sipas Kërveshit, Muhaxheri ka deklaruar në Polici se beson se arsyeja e sulmit lidhet me punën e tij zyrtare.
“Në cilësinë e avokatit të Kryetarit të Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, njoftoj opinionin se sot rreth orës 8:40 në qytetin e Pejës në vendin e njohur si “Qendra Zejrare” pasi i njejti kishte pirë kafe me një familjar të tij, në largim e sipër, kryetari Muhaxheri ishte sulmuar nga dy persona fillimisht të panjohur. Sulmi kishte qenë i befasishëm. Kryetari Muhaxheri tashmë ka dhenë deklaratën në polici dhe se i njejti beson se arsyeja e sulmit lidhet me punën e tij zyrtare. Gjendja e Kryetarit është stabile. Duke besuar në efikasitetin e oragneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës presim që sulmuesit të ndiqen penalisht dhe të marrin dënimin e merituar!”, ka shkruar Kërveshi. /GazetaExpress/