Është sulmuar fizikisht ish-deputeti i PSD-së Frashër Krasniqi nga djali i avokatit, Tomë Gashit.
Lajmin e ka bërë të ditur PSD-ja përmes një njoftimi në Facebook, ku thuhet se sulmi ka ndodhur pa asnjë arsyeje dhe pa asnjë zënkë paraprake, ku i njëjti ka përdorur kështu gjuhë fyese edhe ndaj Nol Nushit, shkruan Telegramisot
Tutje në njoftim PSD-ja ka theksuar se sharjet masive, kërcënimet e linçimet janë mënyrë funksionimi e partisë në pushtet.
“Albin Gashi, ish kandidati i VV- së për deputet dhe djali i Tomë Gashit, ka sulmuar fizikisht Frashër Krasniqin. Pa asnjë arsye dhe pa asnjë zënkë paraprake. I njëjti, duke sulmuar shante Nol Nushin.
Sharjet masive, kërcënimet e linçimet janë mënyrë funksionimi e partisë në pushtet. Nevojitet pak gjë që kjo gjendje e dhunës të shndërrohet në manifestim konkret.Kur argumenti i vetëm është ai i numrave dhe i forcës, sigurisht se mujsharia është sjellja politike që pason.
Kjo mënyrë e pushtetit të shkuar nuk supozohej me qenë pushteti i ri.Me këtë rast dhe rastet e ngjashme duhet të merret policia, por tejkalimi i kësaj gjendjeje është i mundur vetëm përmes demokratizimit të shoqërisë. Pengesa kryesore për këtë gjë sot është partia në pushtet”, thuhet në njoftim.
Ky sulm vjen vetëm disa ditë pas një debati të ashpër me fyerje e ofendime që u zhvillua në RTK ndërmjet Tomë Gashit e Nol Nushit të PSD-së.
Në atë debat ishte përmendur edhe djali i Tomë Gashit nga ana e Nushit të PSD-së, gjersa nuk ishte kursyer as Gashi i cili me tone ofenduese ia kishte përmendur nënën dhe motrën.