Me fillim nga ora 15:00 parashihet të startojë seanca e konstitiumit të Kuvendit të Kosovës.
Deputetët e ri, do të betohen, kurse nuk dihet nëse do të zgjedhet edhe udhëheqja e Parlamentit.
Disa orë para se të nisë kjo seancë, nga drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun është theksuar se gjatë seancës përfaqësuesit e mediave do të qëndrojnë në galerinë e sallës plenare, ndërsa hyrja do të bëhet në orën 14:30.
“Duke pasur parasysh dhe mirëkuptuar interesimin e madh medial dhe publik në përgjithësi për seancën e sotme konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për hir të mbarëvajtjes së saj dhe respektimit të rregullit në Kuvend, kërkojmë nga të gjithë përfaqësuesit e mediave që do të jenë prezentë në hapësirat e Kuvendit, t’i përmbahen Rregullores në fuqi për rendin dhe qasjen e mediave dhe të publikut në punën e Kuvendit”.
“Me theks të veçantë, dispozitave që lidhen me fotografimin dhe xhirimin në hollin e Kuvendit të Kosovës (Rregulla 10, pika 7) dhe dispozitave të tjera përkitazi me qasjen e mediave në Kuvend”, thuhet ndër të tjera në njoftimin për medie.