Për konsensus nacional dhe bashkëpunim me shoqërinë civile ka folur në Forumin 2015 Albin Kurti, pak ditë para se të zgjidhej kryeministër. Ai ka kërkuar përfshirjen e saj edhe në procesin e dialogut me Serbinë.
“Unë besoj që duhet të jetë e inkuadruar edhe shoqëria civile në dialog, por unë nuk kam plan për këtë gjë. Me neve merr fund epoka kur qeveria ka plan për shoqërinë civile. Si do të inkuadrohet shoqëria civile në dialog varet prej shoqërisë civile. Unë jam i hapur për bashkëpunim”, pati deklaruar Kurti.
Një gjë e tillë mirëpritet nga përfaqësues të shoqërisë civile.
Megjithatë, Demush Shasha, që drejton Institutin Epik, thotë se rekomandimet e tyre duhet të merren seriozisht.
“Është e mirëseardhur se z. Kurti e bën të qartë se nuk do të ndërhyjë apo në çfarëdo forme ta përkufizojë rolin e shoqërisë civile. Është e mirëseardhur. Nga ana tjetër Qeveria duhet të sigurohet se ky kontribut nga ana e shoqërisë civile e që vazhdimisht është ofruar, të mos jetë ishull i izoluar”, ka thënë Shasha.
Sipas tij, pak i rëndësishëm është formati i pjesëmarrjes në dialog i shoqërisë civile, teksa është e domosdoshme që të bashkëpunohet me Qeverinë e re, për t’u krijuar hapësira për opinionet e vlerësimet e saj.
Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pak ditë më parë ka thënë se vazhdimi i dialogut është çështje javësh, teksa të shpeshta kanë qenë thirrjet e tij që ky proces të nisë sa më parë. Fokus në dialog, Kurtit i ka kërkuar edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, në telegramin e saj të urimit.
Vetë Kurti, edhe pas zgjedhjes si kryeministër, ka ritheksuar se dialogu është me rëndësi, por nuk është prioriteti më i madh i Kosovës