Dhoma e Përfaqësuesve në orët e hershme të së shtunës e miratoi planin e presidentit Joe Biden për 1.9 trilion dollarë ndihma për të prekurit nga pandemia COVID-19, transmeton Gazeta Sinjali.
Pas miratimit në Dhomën e Përfaqësuesve, pakoja tani do të dërgohet për shqyrtim dhe votim në dhomën e lartë të Kongresit – në Senat.
Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë nga pandemia. Deri më tani, atje janë regjistruar rreth 28.5 milionë të infektuar dhe 510 mijë viktima.
Biden më herët e ka kritikuar qasjen e paraardhësit Donald Trump ndaj pandemisë dhe ka premtuar se pasi të vijë në pushtet do të marrë masa më të gjera për luftimin e përhapjes dhe efekteve negative të sëmundjes së re, përfshirë rimëkëmbjën e ekonomisë dhe shpërndarjen e shpejtë të vaksinave.
Duket se efektet e para të këtyre masave kanë filluar të shfaqen. Të premten, numri i pacientëve të hospitalizuar në Shtetet e Bashkuara ra në nivelin më të ulët që nga zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Sipas Financial Times, numri i pacientëve në spitale tash është për mbi 60% më i ulët sesa në fillim të janarit, kur ishte arritur rekordi prej 132.474 njerëzve në spitale.