Pjesëtarë të Policisë së Kosovës e kanë bllokuar sot me mëngjes rrugën pranë Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, nën dyshimet për një mjet shpërthyes të vendosur para ndërtesës së këtij institucioni.
Deri tani ajo që dihet është se një person sot në mëngjes fillimisht është afruar ndërtesës së AKI’së dhe është fjalosur me rojet e AKI me akuzat: “Përse po iu vendosni njerëzve çipa”, shkruan Metro.
Pas kësaj fjalosje, këtij personit dyshohet se ju është gjetur në veturën e tij të tipit “Fiat” ngjyrë e bardhë, një mjet shpërthyes për çka edhe është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka bërë të ditur për Gazetën Online “Reporteri.net”, se sot rreth orës 06:15, kanë pranuar informacion se në rrugën Prishtinë drejtimi i Fushë Kosovës, gjendet një person i dyshuar me një veturë.
Kelani ka njoftuar se njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëherëshme në vendin e ngjarjes ku personin e dyshuar e kanë ndaluar dhe e kanë shoqëruar në stacion policor.
Në vendin e ngjarjes janë dalë edhe njësitet kompetente policore të cilat janë duke kryer veprimet e mëtejme policore.
Rruga në drejtim të Fushë Kosovës është bllokuar, përderisa të përfundojë kryerja e vendshiqimit të vendit të ngjarjes.