Të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka dështuar seanca e parë e rigjykimit ndaj të akuzuarës për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, Gjina Zeqiri dhe të akuzuarës për transplantim të kundërligjshëm dhe trafikim të organeve dhe qelizave njerëzore, Ilfete Bixhaku,
Shkak për mos mbajtjen e seancës ishte mungesa e të akuzuarave dhe mbrojtësit të Bixhakut, avokatit Tahir Rrecaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësja e çështjes Medije Bytyqi, deklaroi se avokati Rrecaj e kishte njoftuar me kohë se nuk mund të marrë pjesë në këtë seancë pasi që i njëjti ishte caktuar për një seancë tjetër më parë.
Ndërsa për të akuzuarat, gjykatësja Bytyqi deklaroi se janë ftuar në mënyrë të rregullt por në flet kthesë është konstatuar se adresat nuk janë të plota.
Prezent në këtë seancë ishte prokurorja Bukurie Gjonbalaj dhe mbrojtësi i të akuzuarës Zeqiri, avokati Valon Hasani.
Pasi që nuk ishin plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës, gjykatësja Bytyqi e shtyu atë për 1 korrik 2021, në ora 09:00.
Në këtë rast ishin të akuzuar edhe Ersan Donmez, Handan Namlë dhe Agron Devaja por ndaj tyre është veçuar procedura.
Ndryshe më 23 qershor 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim lirues për infermieren Ilfete Bixhaku, e akuzuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, transplantim të kundërligjshëm dhe trafikimi i organeve dhe qelizave njerëzore dhe Gjina Zeqiri, ku për të është konstatuar se nuk i ka kryer veprat penale për të cilat është akuzuar dhe është pushuar urdhri ndalues për sekuestrmin e pasurisë.
Por, e pakënaqur me vendimin e gjykatës, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ushtruar ankesë duke pretenduar se gjykata e shkallës së parë ka bërë shkelje të dispozitave të procedurës penale, duke u bazuar në prova të papranueshme.
Tutje, Gjykata e Apelit kishte marrë vendimin e saj lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë për rastin “Global Hospital”, ku kërkohej të ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me pikën 1 dhe 5 të aktakuzës ashtu që ndaj të akuzuarës Gjina Zeqiri refuzohet akuza për veprën penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” për shkak të kalimit të dyfishtë të kohës së afatit të parashkrimit të ndjekjes penale.
Ndërkaq, është anuluar pjesa tjetër e aktgjykimit lidhur me të akuzuarën Gjina Zeqiri për veprën penale “transplantimi i kundërligjshëm dhe trafikim i organeve dhe qelizave njerëzore” nga neni 265 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 2 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe me të akuzuarën Ilfete Bixhaku për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale “transplatimi i kundërligjshëm dhe trafikim i organeve dhe qelizave njerëzore” nga neni 265 paragrafi 5 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.
Si dhe është anuluar pjesa lidhur me pushimin e urdhrit ndalues për sekuestrim të pasurisë dhe çështja është kthyer në rigjykim dhe rivendosje.
Për pjesën për të cilat kjo gjykatë ka anuluar aktgjykimin ka gjetur se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës penale të parashikuara nga neni 384 paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 të KPPRK-së sepse sipas kësaj gjykate shqyrtimi gjyqësor është mbajtur pa personat, prania e të cilëve kërkohet me ligj respektivisht shqyrtimi gjyqësor është mbajtur në mungesë të së akuzuarës Gjina Zeqiri.
“Sipas aktgjykimit të ankimuar dhe shkresave të lëndës rrjedhë se në seancën fillestare të mbajtur me datën 8 shtator 2017 është vendosur që shqyrtimi gjyqësor të mbahet në mungesë të së akuzuarës Gjina Zeiqiri në bazë të kërkesës së Prokurorit të Shtetit në kuptim të nenit 8, paragrafi 2 dhe 3 të Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së Përfituar me Vepër Penale, ku lidhur me këtë të akuzuar do të trajtohet vetëm çështja e konfiskimit të pasurisë së sekuestruar. Sipas paragrafit 7 të këtij ligji, gjykata do t’i trajtoj vetëm pikat e aktakuzës që e mbështesin konfiskimin”, thuhet në aktvendim të Apelit.
Tutje, thuhet se meqenëse ligji në fjalë nuk ishte në fuqi në kohën e mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe përfundimit të saj, në janar të vitit 2019 kishte hyrë në fuqi ligji i ri për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, ky ligj njëjtë si ai paraprak, parasheh dispozita të ngjashme për mundësinë e mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor lidhur me konfiskimin e pasurisë në rast të arratisjes së të akuzuarit.
“Paragrafi 9 i nenit 19 të këtij ligji parasheh njëjtë si paragrafi 7 i nenit 8 të ligjit paraprak, pra që gjykata duhet të merr parasysh vetëm faktet në aktakuzë që mbështesin konfiskimin e zgjeruar të pasurisë”, thuhet në vendim.
Sipas gjykatës, nuk mund të trajtohet çështja lidhur me provat dhe faktet që e dëshmojnë apo jo ekzistimin e veprës penale për të akuzuarën që nuk ishte e pranishme në shqyrtim gjyqësor.
“Nga aktgjykimi i ankimuar rrjedh se të akuzuarit Ilfete Bixhaku, Agron Devaja dhe Gjina Zeqiri janë liruar nga akuzat meqenëse nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale për të cilat janë akuzuar. Pra, nuk është trajtuar vetëm çështja e konfiskimit të aseteve, por është gjykuar rasti në tërësi edhe për veprat penale kundër të akuzuarës Gjina Zeqiri”, thuhet në vendim të Apelit.
Sipas Apelit, në aktgjykim trajtohen të gjitha provat lidhur me veprat penale, trajtohen elementet e veprave penale për të cilat akuzohet Zeqiri dhe në fund jepet konstatim se e akuzuara Zeqiri nuk i ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet dhe rrjedhimisht konstatohet se pasuria që është objekt i konfiskimit nuk është fituar me vepër penale, andaj anulohet urdhri ndalues.
“Pra, gjykata e shkallës së parë nuk ka vepruar siç parasheh dispozita e nenit 19, paragrafi 9 të LKZKP-së që të kufizohet vetëm në faktet në aktakuzë që mbështesin konfiskimin e zgjeruar, por ka vlerësuar provat në raport me veprat penale”, thuhet në vendim.
Tutje, thuhet se meqenëse kjo çështje penale është e ndërlidhur edhe me të akuzuarën Bixhaku, shkeljet e lartcekura ndikojnë në procedurën penale në tërësi, pasi edhe veprat kanë ndërlidhje në mes vete, andaj anulimi i aktgjykimit ndikon edhe për këtë të akuzuar.
“Duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale që detyrimisht kushtëzojnë anulimin e aktgjykimit, kjo gjykatë nuk u lëshua në pretendimet e Prokurorisë lidhur me gjendjen faktike”, thuhet tutje në vendim.
Sipas prokurorisë, Gjina Zeqiri, Ersan Donmez dhe Handan Namlë, më 13 nëntor 2014, në bashkëkryerje, në klinikën private “Global Hospital”, në “Mati 1”, në Prishtinë, me rastin e trajtimit mjekësor të pacientëve, në sektorin e sterilitetit, nuk kishin përdor masat përkatëse higjienike-sanitare, si dhe nuk kishin përdorë produkte dhe pajisje farmaceutike-medicinale pa banderolë dhe afat të skaduar.
E akuzuara Zeqiri, prej vitit 2012 e deri në nëntor 2014, në cilësinë e drejtoreshës në këtë klinikë, nga persona të ndryshëm, ka shfrytëzuar gjendjen e dobët ekonomike të tyre, me qëllim të transplantimit të qelizave vezore në këmbim të shumave të ndryshme të parave nga të dëmtuarat S.B F.M dhe H.S.
Këto qeliza, Zeqiri, së bashku me Ersan Donmez dhe Handan Namlë, i kishin transplantuar në disa pacientë të trajtuar në këtë klinikë, dhe në kundërshtim me Ligjin për Shëndetin Riprodhues, kishin bërë përcaktimin e gjinisë të dëmtuarave të cilat kishin qenë të interesuar për pranimin e këtyre qelizave.
Ndërkaq, e akuzuara Ilfete Bixhaku, me dashje i kishte ndihmuar Zeqirit, duke bërë ndërmjetësim dhe duke kontaktuar me donatorët e vezorëve, duke i udhëzuar për kohën e tretmanit mjekësor dhe duke i njoftuar dhuruesit dhe pranuesit e vezorëve për terminët e spitalit.
Agron Devaja, akuzohet se më 1 nëntor 2014, në cilësinë e personit zyrtar, pa autorizim, i kishte kumtuar personit tjetër informatën që përbën fshehtësi zyrtare, duke e njoftuar të akuzuarën Zeqiri se kur do të ketë kontroll në klinikën “Global Hospital”.
Prokuroria, Devajën e ngarkon me veprën penale “zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, nga neni 433 paragrafi 1, të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës.