Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, sot pritet që të vazhdojë gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në këtë seancë gjyqësore, pritet që të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të 32-të, pasi i 31-ti me kod W04753 e ka mbaruar dëshminë e tij më 30 tetor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndonëse për dëshmitarin e 31-të ishin paraparë 16 orë për ta marrë në pyetje, dëshmia e tij mbaroi për katër orë, e kjo mosllogaritje e duhur ana e mbrojtjes, nuk u mirëprit nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
“Duhet të bëjmë diçka për përllogaritjen kohore. Keni kërkuar 16 orë për këtë dëshmitar, të tërë morët 4 orë, ku pjesa më e madhe e kohës që ishte parashikuar, ishte kundërpyetje. Kërkuat dy orë nga Prokuroria dhe përdorët një orë e gjysmë”, kishte deklaurar gjykatësi.
Gjyqtari Charles Smith tha se ky gjyq do të zgjasë, por të paktën të përfundojë në një kohë të arsyeshme.
Kështu, seanca e 31 tetorit dhe 1 nëntorit ishin anuluar për shkak se nuk kishte dëshmitar tjetër të gatshëm për të dëshmuar.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.