Më 23 shtator të vitit 2018, në kompaninë “Gogaj AG” në Deçan kishte ndodhur një vrasje. I riu Agonis Tetaj ishte qëlluar me armë zjarri nga Shaban Gogaj, djali i shefit të kompanisë ku punonte. Pamje nga momenti i vrasjes janë publikuar edhe nga familja e viktimës, e edhe avokati i të pandehurit.
Tashmë janë bërë publike dëshmitë e familjarëve të të ndjerit, Agonis Tetajt e dorasit, Shaban Gogaj.
Në mesin e dëshmitarëve është edhe deklarata e djalit të axhës së Agonisit, Selmon Tetaj.
Selmoni kishte treguar një rast që kishte ndodhur mes Agonisit dhe Shabanit, disa ditë para vrasjes.
Ai kishte deklaruar se dy javë para se të ndodhte rasti, kur i kishte bërë problem i pandehuri, përshkak se ky gjatë një pagese i mungonte 1 euro, dhe pasi kishte ndërhyrë Agonisi, Shabani e ka, siç shprehet ‘prishë’ fytyrën dhe e ka ngritur dorën e djathtë te një dollap nën kacë dhe i ka thënë Agonisit ‘Goni ti e di çka kam këtu qetu’.
Ndryshe, një video nga vrasja e Agonis Tetajt është publikuar dje nga babai i Agonisit, pas rikualifikimit të veprës penale nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje nga pakujdesia”.
Sipas Isuf Tetajt, u manipulua kur vepra e vrasjes së djalit të tij u rikualifikua nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.
Lidhur me këtë, familja e viktimës ka dërguar një letër publike në adresë të kryeprokurorit të shtetit dhe ambasadorit të SHBA’së, Britanisë e Gjermanisë në Prishtinë.
Babai i viktimës, Isuf Tetaj, në letrën publike e ka akuzuar prokurorin e rastit, Agron Uka, se është duke manipuluar me rastin e vrasjes së të riut Agonis Tetaj, transmeton expres.
Teksa, kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, ka reaguar pas publikimit të videos së vrasjes së Agonis Tetajt nga Deçani dhe letrës publike të babait të tij, Isuf Tetaj, i cili akuzoi prokurorin e rastit, Agron Uka, pas ricilësimit të veprës penale nga “Vdekje e rëndë” në “Vdekje nga pakujdesia”.