Vëllezërit dhe babai i pakistanezit 26-vjeçar, Abdul Baqi, ia verbuan atij të dy sytë vetëm pse dëshironte të martohej me vajzën që e dashuronte.
“Mund të mbijetoj pa sy, por nuk mund të jetoj pa dashuri”, tha i riu përderisa e përshkruante traumën që e përjetoi nga anëtarët e familjes.
“Tash jam si peshk jashtë ujit”, shtoi 26-vjeçari nga qyteza Loralai, e cila shtrihet në pjesën verilindore të provincës Balochistan.
Rrëfimi i tmerrshëm i tij është dëshmi që gratë nuk janë viktimat e vetme të të ashtuquajturave “krime të nderit”, ku të kaluarën janë përfshirë sulmet me acid, verbërimet dhe vrasjet, të cilat janë kryer nga familjarët e personave që janë akuzuar se i kanë çnderuar familjet e veta.
Baqi thotë se u sulmua pasi babai i tij 73-vjeçar mori vesh se djali dëshiron t’i martohet me vajzën që e dashuron. Plaku kishte refuzuar ta jepte pëlqimin për këtë martesë shkaku i komunikimit me telefon mes të rinjve përgjatë tre vjetëve të kaluar.
Sipas traditave konservatore në Pakistan, martesat zakonisht organizohen nga të afërmit dhe vajzat nuk lejohen të bisedojnë me personat e panjohur ose të takohen me ta.
Babi i djaloshit e cilësonte të dashurën e tij të pamoralshme dhe të papërshtatshme për nuse për shkak të kontakteve të gjata në telefon mes tyre.
Baqi thotë se katër vëllezërit, që kanë lidhje me talibanët, e lidhën, e rrahën dhe e përdorën një lugë për t’ia nxjerrë të dy sytë, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.
Ai thotë se vëllai më i ri, 18 vjeç, i cili sapo ishte kthyer nga lufta si militant i talibanëve, ia mbante kokën me këmbë dhe e quante të pafe.
Jeta e të riut ka qenë e vështirë edhe para se t’i humbte sytë. Me tetë vëllezër e gjashtë motra, ai nuk kishte mundësi të shkonte në
shkollë të mesme.
Kur e përfundoi klasën e pestë, babai ishte munduar të dërgonte në medrese, por ai kishte refuzuar, duke thënë se më mirë e kishte të punonte si pastrues dhe t’i ndihmonte familjes.
Ai thotë se është takuar me vajzën që e donte vetëm një herë dhe ra menjëherë në dashuri me të. Sidoqoftë, kjo kishte për të qenë edhe hera e fundit që ai po e shihte me sytë e vet njeriun e zemrës.