“Ka dy muaj që nuk arrij dot të varros tim bir. Turp të keni”. Një tragjedi familjare e një politikani italian i hedh dritë një situate të padurueshme në kryeqytetin italian, Romën.
Fjalët e forta dhe të dhimbshme vijnë nga Andrea Romano, deputeti i Partisë Demokratike në Itali, që pak muaj më parë ka humbur djalin e tij të vogël.
Deputeti sulmoi kryebashkiaken e Romës, Virginia Raggi. “Nuk na jepet as koha kur do të mund ta varrosin, kjo nuk është e denjë për këtë qytet. Turpi i juaj nuk mund të jetë më i madh”.
Ngjarja ka provokuar një reagim të madh në opinionin publik, si dhe mbështetje e forcave të ndryshme politike, por është vetëm maja e ajsbergut të situatës në varrezat e Romës.
Janë mijëra familjet që nuk po arrijnë t’i japin përshëndetjen e fundit të dashurve të tyre, sepse nga tetori i kaluar kanë qenë më shumë se 5 mijë vdekje më shumë se në vitet e mëparshme. Kjo e bën radhën për varrimet ose shërbimet e tjera, si djegiet e trupave dhe vendosja në varret murale, shumë të gjatë dhe e vështirë për t’u zgjidhur.
Përgjigja e AMA, enti që menaxhon edhe shërbimet funerare, ishte po aq e hidhur. “AMA është afër familjes për humbjen e madhe. Trupi i djalit tuaj është djegur më 15 mars. Për shkak të emergjencës, i kemi dhënë precedencë varrimeve primare, ndërkohë që ato dytësore, jo urgjente, si vendosja e hirit, do të fillojë nga data 1 maj”.