Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit, me ç’rast ka treguar se edhe kush ka arritur t’i fitojë votat e duhura për t’u bërë deputet.
Lista Serbe ka arritur t’i fitojë 10 deputetë, teksa njëri prej tyre është edhe Ivan Todosijeviq.
Todosijeviq ishte shkarkuar nga pozita e Ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal në prill të vitit 2019 nga kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj, pasi që i njëjti e kishte quajtur trillim masakrën e Reçakut.
“Shkak për agresionin në vendin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi, Reçaku i trilluar, dhe ishin pikërisht ata, shqiptarët terroristë, të cilët e kanë trilluar gjithë këtë, kanë kryer krimet më të rënda në Kosovë e Metohi për të cilat deri në ditën e sotme askush nuk është përgjigjur. Kanë kryer krime para agresionit të NATO-s, vranë serbë të mirë shtëpiakë dhe policë në vendet e tyre të punës. Prirjen e tyre përgjak e vazhduan edhe gjatë agresionit dhe pas të ashtuquajturit misionit paqësor në Kosovë e Metohi”, kishte thënë Todosijeviq gjatë një tubimi në Zveçan për të shënuar 20-vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.
Në korrik të po atij viti Todosijeviqit i ishte ngritur edhe aktakuzë për përdorim të gjuhës së urrejtjes për po këtë deklaratë.
“I pandehuri I.T., më 24.03.2019, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, të ashtuquajtur “në kujtim të viktimave të bombardimeve të NATO-s”, shprehet se “Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, veprime këto të cilat mund të prishin rendin publik ose të shkaktojnë pasoja tjera më të rënda në Republikën e Kosovës”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Prokurorisë.
Todosijeviq ka marrë në këto zgjedhje 17 mijë e 980 vota.