Me dy vjet burgim është dënuar ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, i cili dënim do të ekzekutohet 15 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi.
Buja akuzohej për rastin e njohur si “Feronikeli”, bashkë me tetë persona të tjerë. Ai akuzohej për marrje ryshfeti dhe ushtrim ndikimi. Më 2018 ishte dënuar me tre vjet burgim, por rasti i ishte kthyer në rigjykim.
Seanca gjyqësore finale ndaj tij ishte paraparë të mbahej më 9 shtator, por Buja ishte vetizoluar për shkak të simptomave të koronavirusit.
Gjykata ka refuzuar akuzat ndaj Bujës për pikat “keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe ushtrim të ndikimit”.
Ish-kryetari i Lipjanit akuzohej se duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ka përfituar dhuratë apo përfitim tjetër, në atë mënyrë që me dashje direkte ka ushtruar ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtarë, më saktë tani të pandehurve Bajram Rizani, drejtor në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Lipjanit, për të mos penguar të pandehurin Fahri Ratkoceri në ndërtim të objektit për banim kolektiv në vendin ku ka qenë fabrika e letrës në Lipjan, pa u pajisur me leje urbanistike, leje ndërtimi dhe dokumentet e tjera të nevojshme.
Por Gjykata e Apelit pas ankesave të ushtruara nga ana e Prokurorisë Speciale dhe mbrojtësve së të akuzuarve, më 12 qershor 2019, e kishte anuluar këtë aktgjykim të Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.
Sipas Apelit, aktgjykimi ishte i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i tij është i paqartë për shkak se pjesa dënuese është në kundërshtim me pjesën liruese dhe atë refuzuese.
Në rastin e njëjtë, Halit Gashi është dënuar me 6 muaj burgim me pëlqimin mund të zëvendësohet dënimi me gjobën prej 2 mijë euro.
Hasim Viseshella është dënuar me pesë muaj burgim, dënim që mund të zëvendësohet me 1500 euro. Edmond Rexhepi me gjashtë muaj, njëjtë sa edhe Bajram Rizvani, që mund të zëvendësojë dënimin me 2 mijë euro.
Magbule Sadiku është liruar nga akuzat.