Mjeku ortoped i Klinikës Ortopedike në QKUK, Sabit Sllamniku, i cili u arrestua dje nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrje të ryshfetit”, ka dalë sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Gjyqtari i procedurës paraprake pritet të vendos sot për kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, që Sllamnikut t’i caktohet masa e paraburgimit për 30 ditë.
Sllamniku ndodhet në ndalim policor që nga mëngjesi i djeshëm, kur u arrestua në vendin e tij të punës në QKUK, derisa u kap në flagrancë duke marrë 100 euro ryshfet nga një person në karrocë të invalidit (emër i njohur për redaksinë).
Telegrami raportoi sot se Sllamniku, si anëtar i Komisionit për Vlerësimin e Invaliditetit në Prishtinë, dyshohet se ia kishte kërkuar atij 300 euro për secilin anëtar të këtij komisioni, në mënyrë që t’ia bënte një vlerësim të tillë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.