Prokuroria Themelore e Prishtinës është deklaruar lidhur me rastin e vdekjes së Aulon Grabovcit, i cili është gjetur pa shenja jete në Prishtinë, e që është nipi i politikanit Adem Grabovci.
Nga kjo Prokurori i kanë thënë Gazetës Express se deri më tani nuk mund ta konfirmojnë shkakun e vdekjes, por se në bashkëpunim me organet e tjera po e hetojnë këtë rast.
“Lidhur me rastin për të cilin keni kërkuar informata, Prokuroria Themelore në Prishtinë mund të konfirmoj se një person me inicialet A.G është gjetur i vdekur, kurse deri më tani nuk mund të konfirmojmë shkakun e vdekjes, mirëpo prokurori i shtetit në bashkëpunim me të gjitha organet tjera janë duke e hetuar këtë rast”, thuhet në përgjigje.
Më shumë detaje për rastin s’ka dhënë as Policia e Kosovës, e cila përmes raportit 24 orësh vetëm ka bërë me dije se kanë nisur hetimet mbi vdekjen.
“HETIM MBI VDEKJEN – Prishtinë 14.11.2024 – 22:30. Raportohet se është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion”, është thënë në raportin 24 orësh.
Aulon Grabovci do të varroset nesër në orën 14:00, në varrezat e fshatit Saradran të Istogut.
Këtë e ka bërë të ditur Adem Grabovci, në një postim prekës që ka bërë në profilin e tij në Facebook, ku njoftoi për vdekjen e nipit.
Ai bëri me dije se Auloni ishte djali i nipit të tij, Nazim Grabovci, i cili dy vjet më parë ishte gjetur i vdekur në një parking në Prishtinë.
“PASKA EDHE MË VËSHTIRË! POR, DERI KUR, ZOT? Kur më la Nazi im, thash se mu përmbys jeta, e cila më godiste vazhdimisht në mënyra të dhimbshme. E kur ende jemi të thyer shpirtërisht e të pa pajtuar nga humbja e Tij, sot, Loni jonë mbylli sytë, për të na errësuar jetët tona përfundimisht”, ka shkruar Grabovci.