Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se pasi që nuk ka pasur asnjë ankesë në Gjykatën Supreme për rinumërim të 1,472 kutive mund të procedohet me fillim të rinumërimit, raporton Gazeta Express.
Daka ka thënë se ky vendim është bërë i formës së prerë, pasi që nuk ka pasur ankesa.
“Ne jemi obliguar që të rinumërojmë një numër të caktuar të kutive, më saktë 1472 dhe me sa kam informatë nga Gjykata Supreme, deri më tani deri në orën 3 kur ka qenë afati, nuk është ankuar askush dhe ky vendim bëhet i formës së prerë dhe ne jemi të obliguar t’i rinumërojmë këto kuti.
Unë e kisha kërku nga sekretariati që me na njoftu lidhur me rinumërimin dhe se si është planifiku”, ka thënë Daka.
Nga sekretariati i KQZ-së kanë thënë në anën tjetër se rinumërimi do të fillojë sapo të përfundojnë afatet ligjore nëpër institucionet përkatëse.
“Nuk besoj që mundet me zgjatë më tepër ky afat se dita e sotme, deri më tani nuk ka asnjë ankesë sa i përket këtij vendimi. Ne kemi parë raportin se sa kuti do të shkojnë në rinumërim, sekretariati do t’i rrisë kapacitetet e veta, pa e cenuar cilësinë dhe procesin e monitorimit, përkatësisht transparencës. Jemi duke i bërë të gjitha përgatitjet, presim urdhër nga KQZ-ja, edhe një herë po themi për dallim nga herët e kalume, për shkak se jemi në një numër më të madh, i kemi rritë kapacitetet”, ka deklaruar nga sekretariati i KQZ-së.