Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se Zyra për Bashkëpunim dhe Mbrojtje në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, përfaqësuar nga Kolonel Rose dhe Majorja Olson, sot në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar në Prishtinë ka dhuruar donacionin e radhës me kontejnerë për mbetje spitalore dhe pajisje të tjera në funksion të menaxhimit të COVID-19.
“Vlera e donacionit është 103,000 euro dhe përmban: kosha të mbeturinave spitalore me pedale, kosha të mbeturinave spitalore për mbeturina të kontaminuara të rrezikshme, kosha të për mbeturina të rrezikshme, koshat për mbeturina infektive (të rrezikshme), mbajtës / karrocë të mbeturinave metalike për materiale të rrezikshme, kontejner mobil të mbrojtur dhe me pedale për mbeturina radioaktive, kontejner të mbeturinave me mbrojtës dhe me pedale, mbrojtës shiringash – transportues për transport të sigurt të shiringave të disponueshme”.
“Menaxhimi i mbetjeve spitalore në mënyrë adekuate, parandalon përhapjen e mëtejme të infeksioneve brenda dhe jashtë-spitalore, përfshirë edhe infeksionin COVID-19”.
“Ky kontribut është vazhdimësi e përkujdesit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes misioneve të saja civile dhe ushtarake i kanë ofruar në vazhdimësi sistemit tonë shëndetësor. Në emër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe qytetarëve të Kosovës shpreha falënderimet për përkrahjen e vazhduar gjatë menaxhimit të pandemisë COVID-19”, ka shkruar Zemaj në rrjetin social Facebook.