Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe kryeministri në detyrë i Shqipërisë, Edi Rama, në Tiranë, 15 maj, 2025
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka mbërritur në Shqipëri në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet ditën e nesërme në Tiranë me pjesëmarrjen e mbi 40 liderëve evropianë.
Costa u prit nga kryeministri në detyrë i Shqipërisë, Edi Rama dhe vlerësoi vendin për përparimin në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
“Është kënaqësi për mua ta përmbyll turin tim në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor këtu në Tiranë. Procesi i zgjerimit të Ballkanit Perëndimor është investimi i duhur dhe e kemi ne në dorë ta çojmë këtë proces deri në fund”, deklaroi Costa, raporton EuronewsAlbania.
Ai theksoi se Shqipëria është në rrugën e duhur për në BE dhe se vullneti i qytetarëve shqiptarë për anëtarësim është i qartë, i reflektuar edhe në rezultatin e zgjedhjeve të fundit.
“Anëtarësimi nuk është më çështje nëse, por kur! Ju e dini se si bëhet. Ju inkurajoj t’i mbani sytë te ky objektiv dhe t’i shkoni deri në fund”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Presidenti i Këshillit Evropian theksoi rëndësinë e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe reformave si elementë kyç për anëtarësimin. Ai gjithashtu përmendi nevojën për thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Costa e cilësoi mbajtjen e Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë si një moment historik për Shqipërinë dhe për vetë Bashkimin Evropian, duke theksuar se është hera e parë që një takim i tillë zhvillohet jashtë territorit të BE-së.
“Evropa nuk do të thotë vetëm begati apo vlera, por edhe ndërtim i një të ardhmeje të përbashkët. Jam i kënaqur që sot këtu shoh studentë – brezin që do të mbajë mbi supe të ardhmen e Evropës. Dhe fatmirësisht, ju keni këmbë të forta dhe të gjata për ta bërë këtë hap”, përfundoi Costa.
Vizita e tij në Tiranë mbyll turin në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përforcon mbështetjen e institucioneve Evropiane për integrimin e rajonit në familjen Evropiane.