Glauk Konjufca ka kërkuar largimin e “peshqve të mëdhenj” të diplomacisë. Vlora Çitaku ka pranuar largimin, edhe pse thotë se Thaçi i ka kërkuar të qëndrojë në Uashington.
Vetë Presidenti nuk është deklaruar për propozimet e Konjufcës, ndërsa Ministra e Punëve të Jashtme thotë se 7 ambasadorët do të qëndrojnë nëpër shtetet përkatëse, derisa të emërohen zëvendësuesit e tyre.
Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka kërkuar shkarkimin e shtatë ambasadorëve, mes tyre edhe ambasadoren e Kosovës në Uashington, Vlora Çitakun.
Në MPJ thonë për Gazetën Express se shtatë ambasadorët do të vazhdojnë detyrat e tyre derisa të gjenden zëvendësuesit e tyre.
“Shefat e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës të cilët janë propozuar për shkarkim do të vazhdojnë punën deri në emërimin e pasuesve të tyre, të Ngarkuar me Punë apo Ambasadorë fuqiplotë”, thuhet në përgjigjen e MPJ’së.
Pasi Konjufca e publikoi listën e atyre që dëshiron t’i shkarkojë dhe pasi Çitaku u deklarua publikisht se do ta respektonte kërkesën e Qeverisë dhe do ta lirojë detyrën, nisën të përmenden emra të mundshëm që mund të dërgohen në Uashington.
Madje zëvendëskryeministri Haki Abazi ka propozuar ambasadorin e Kosovës në Ankara. Sipas Abazit, Ilir Dugolli do të ishte i denjë për të drejtuar misionin diplomatik në SHBA.
Në Ministrinë e Konjufcës thonë se janë duke e analizuar gjendjen në secilën ambasadë, pa dhënë përgjigje se kur mund të riemërohen ambasadorët e rinj.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës është duke analizuar gjendjen në secilën përfaqësi diplomatike, dhe bazuar në të dhënat që do të mbledh, do të merr të gjitha masat e nevojshme, për një shërbim të jashtëm diplomatik sa më efikas në prezantimin dhe mbrojtjen e interesave të Republikës së Kosovës, si dhe forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar”.