Fati i universiteteve publike që i hapi Presidenti Hashim Thaçi në kohë zgjedhjesh, tani ka mbetur në dorë të kryeministrit të ardhshëm. Ndonëse që nga viti i kaluar ishte premtuar një zgjidhje, vendimi për to është zvarritur. Se çfarë do të bëhet me to, mbetet të shihet pas zgjedhjeve.
Express u sjell planet e partive politike lidhur me këto universitete.
Shumica e partive që garojnë në zgjedhjet e të dielës, në planin e tyre zgjedhor e kanë përfshirë edhe çështjen e univeristeteve publike, të cilat ishin hapur në kohë zgjedhjesh nga presidenti i tanishëm, Hashim Thaçi.
Bazuar në planet zgjedhore, shumica e partive po premtojnë reformimin e tyre e asnjë nuk e ka përmendur mbylljen.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka premtuar se menjëherë pas marrjes së pushtetit do të fillojë menjëherë me depolitizimin e këtyre universiteteve dhe se do të bëjë profilizimin e universiteteve në një afat trevjeçar.
“Qeveria e LDK’së do të fillojë menjëherë depolitizimin e universiteteve publike, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën e udhëheqjes dhe të menaxhimit të tyre. Përveç depolitizimit, Qeverisja e LDK’së do të bëjë edhe profilizimin e universiteteve në një afat trevjeçarm, duke parandaluar ofrimin e programeve të njejta në të gjitha universitetet në Kosovë”, thuhet në programin e LDK’së.
Përveç kësaj, LDK synon që t’i inkurajojë studentët për t’u drejtuar në programe të shkencave të aplikuara me punësueshmëri të lartëm që mundësojnë punësim të drejtpërdrejtë.
Reforim të arsimit të lartë ka premtuar edhe koalicioni AAK-PSD. Ata premtojnë reformim karshi nevojave aktuale të tregut.
“Avancimi i arsimit të lartë është proces afatgjatë dhe i ndjeshëm. Ai duhet të reformohet karshi nevojave aktuale të tregut, por veçanërisht karshi atyre të ardhme. Politikat arsimore i shohim të pandashme nga kapaciteti i planifikimit të ardhmërisë së shtetit dhe të qytetarit të saj”, thuhet në programin e koalicionit AAK-PSD.
Plan konkret për fatin e këtyre universiteteve nuk përmendet në programin e Lëvizjes Vetëvendosje. Ata vetëm kanë premtuar arsim të lartë pa pagesë.
“Ne qëndrojmë për Arsimin e lartë publik pa pagesë. Universitetet do t’i fuqizojmë drejt kërkimit shkencor me Fondin e Hulumtimeve që e themelojmë për herë të parë dedikuar kërkuesve, ligjëruesve, profesorëve e specialistëve mjekësorë”, thuhet në programin e VV’së.
Reformim të universiteteve publike ka premtuar edhe koalicioni NISMA-AKR-PD. Ky koalicion ka premtuar se do të bëhet një rishikim i nevojave për të gjitha universitetet publike ekzistuese mbi bazën e të cilave do të orientohet e ardhmja e të njejtave, e lidhur me industrinë dhe nevojat e tregut
“Arsimi universitar dhe profesional do të orientohet në dy nivele kryesore dhe atë: Reformimin e universiteteve publike dhe forcimin e arsimit profesional duke e ndërlidhur me nevojat e industrisë; do të bëhet një rishikim i nevojave për të gjitha universitetet publike ekzistuese mbi bazën e të cilave do të orientohet e ardhmja e të njejtave, e lidhur me industrinë dhe nevojat e tregut”, thuhet në planprogramin e këtij koalicioni.
Ndryshe, se këto universitete ishin hapur në kohë fushate kishin deklaruar edhe njohësit e arsimit.
Dukagjin Pupovci, njohës i arsimit kishte thënë se të gjashtë Universitetet janë themeluar duke mos i përfillur kërkesat ligjore, pasi që institucioni i vetëm i arsimit të lartë që mund ta mbajë emërtimin “universitet” është Universiteti i Prishtinës.
“Gjashtë universitete të tjera janë themeluar duke mos e përfillur fare këtë kërkesë ligjore dhe, po ashtu, janë akredituar në kundërshtim me ligjin. Kjo është bërë me vetëdije të plotë nga Qeveria, Kuvendi dhe Agjencia e Akreditimit, ndaj së cilës vazhdimisht është ushtruar presion politik që ta anashkalojë ligjin për t’i akredituar këto universitete”, kishte thënë Pupovci.
Pupovci kishte thënë se këto universitete kanë hapur dhe kanë akredituar programe nga fusha të ndryshme që nuk kanë asgjë të përbashkët me njëra-tjetrën. E shndërrimi i tyre në fakultete mund të bëhet vetëm nëse do të ketë mbyllje të programeve dhe fokusim në fusha të caktuara.
Sipas tij, në këto universitete ka mungesë stafi dhe se nëse nuk vendoset rend në pranim dhe avancim të stafit, ka pak shpresa në përmirësim të cilësisë.
Edhe njohësi tjetër i arsimit, Jusuf Thaçi kishte deklaruar se këto institucione janë në shpërputhje ligjore, dhe se janë hapur për ta ulur artificialisht papunësinë.
“Universitetet janë në shpërputhje ligjore dhe janë hapur nën euforinë zgjedhore, për ta ulur artificialisht papunësinë, si dhe për të marrë vota”, ka thënë ai.
Thaçi kishte thënë se në shumë programe të këtyre universiteteve nuk ka as cilësi minimale dhe se cilësia është problem sikurse në UP.
“Po besoj që Ministria ka dëshmi të mjaftueshme që në shumë programe të këtyre Universiteteve nuk ka as cilësi minimale, që të funksionojnë si programe studimi. Në këto Universitete studentët marrin diploma, por nuk prodhohen kuadro profesionale. Cilësia është problem në të gjitha universitetet, përfshirë edhe UP-në”, kishte thënë Thaçi.
Ndryshe, idenë për kthimin e këtyre Universiteteve si degë të UP-së, e kishte dhënë para dy vitesh edhe përfaqësuesi i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Rron Gjinovci.
Gjinovci kishte thënë për media se Kosova nuk ka kapacitete për aq universitete publike sa janë hapur.
“Tash është koha për rikthim në realitet. Këto universitete ose duhet të kthehen si degë të UP-së ose të rigrupohen sipas rajoneve dhe t’u jepet statusi i kolegjeve siç është paraparë me Ligjin për Arsimin e Lartë në Kosovë. Nuk bën dhe nuk mundet që komplekset e inferioritetit të një personi apo të disa personave të shndërrohen në agjenda shtetërore me pasoja financiare e ndërkohë rezultati i pritur të jetë afër zeros”, kishte thënë Gjinovci.
Ai kishte deklaruar se ka nevojë për kolegje të specializuara, për shkolla profesionale të cilat zëvendësojnë hapësirat që lë Universiteti i Prishtinës dhe jo siç ishte shprehur ai për “universitete më të dobëta se ai i Prishtinës”.