Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së ka botuar letren e plotë të ish-ambsadorit amerikan Christopher Dell drejtuar publicistit, Veton Surroi.
Reagimi i Cakollit vjen vetëm pak minuta, pasi Surroi vazhdojë akuzat e tij kundër presidentit Hashim Thaçi.
“Nuk është libër i imi për Vetonin, por është ajo se çfarë mendojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Veton Surroin! Lexim të këndshëm”, ka shkruar Cakolli.
Ky është postimi i plotë i Cakollit:
Nuk është libër i imi për Vetonin, por është ajo se çfarë mendojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Veton Surroin! Lexim të këndshëm?
Letra e plotë e ambasadorit Dell drejtuar Veton Surroit – Zvarranikut nga Ozi !!!
I dashur Veton!
Po të shkruaj nga zyra ime me pamje nga Prishtina. Për fat të keq, Qeveria e Shteteve të Bashkuara asnjëherë nuk më ka dhuruar grant prej një million dollarësh për të filluar biznesin tim, prandaj as nuk kam kohë për t’iu përgjigjur letrave tua dashamirëse në mënyrën tënde të stërzgjatur dhe të përçart, e as rehatinë e shtëpisë verore pranë detit për të përmbledh mendimet e mia.
Më duhet të jem i thuktë, prandaj po përballem me një dilemë. Jam në mëdyshje a të citoj William Shakespeare-in e njohur për qartësi apo të shfrytëzoj referencën pak më të gjatë të L. Frank Baum dhe veprës së tij “Magjistari nga Ozi” (Wizard of Oz). Fjalët e zgjuara dhe plotësisht të drejta “Zonja, më duket, zotohet tepër” të Shakespeare-it (Hamleti) të përgjigjen më së miri, por duke marrë parasysh të gjitha, mendoj se do ta përdor më pak të njohurin z. Baum.
Ndoshta të kujtohet që pas shumë mundimeve, Dorothy, qeni i saj Toto dhe banda e tyre leckamane më në fund mbërrijnë në Qytetin Emerald dhe pranohen nga vetë Magjistari, por natyrisht doli që kinse i gjithëdijshmi dhe i plotfuqishmi magjistar nuk ishte i tillë.
Në të vërtetë, krejt çka ishte ai ishte zjarr e tym dhe pamja e projektuar e një koke të madhe që flet e manipuluar nga një njeri i imtë me mikrofon, që qëndronte i fshehur në qosh. Edhe pse ai i kishte mbajtur qytetarët e qytetit.
Emerald nën zgjedhën e tij për vite të tëra me zërin e tij kumbues dhe pamjen e të gjithëdijshmit, shumë shpejt e kuptojmë që Magjistari nuk ka asnjë fuqi dhe që levat e tij nuk janë të lidhura me asgjë dhe që ai s’ka kushedi se çfarë zgjuarsie. Fuqia e tij e vetme e vërtetë është mikrofoni i tij. E kur Magjistari ishte gati për t’u ekspozuar si mashtrues që ishte, ai bërtet për herë të fundit në mikrofon: “Mos I kushtoni rëndësi atij njeriu prapa perdes”.
Para se ta kuptosh, pikërisht këtë e bëjnë qytetarët e gëzuar të Ozit. Apo më saktë, pikërisht këtë nuk e bëjnë. Mendoj se do ta kuptosh analogjinë pa ndihmën time, por në qoftë se e ke harruar këtë skenë.
Po pyet veten me sentimentalizëm të kotë se pse shkoi teposhtë miqësia jonë. Përgjigja duket se lidhet me zhgënjimin për ambiciet tua politike dhe mendoj se në mendjen tënde kjo lidhje është më shumë sesa e përkohshme. Qartazi, mediumet tua filluan sulmet e tyre të orkestruara ad hominem ndaj meje shumë shpejt, pasi që e kuptove se dikush tjetër e jo ti do të bëhej president.
Duket që ke ardhur në përfundim që unë jam shkaktari i frustrimit të ambicieve tuaja dhe që kjo s’ka fare të bëjë me faktin se, ashtu si Magjistarin e Ozit, ka kohë që njerëzit s’të dëgjojnë më dhe ta kanë kthyer shpinën. Për besë, me siguri të dhemb kur shikon prapa dhe mendon se sikur të kishe arritur të mbaje gojën vetëm për 35 ditë, ndoshta do të kishe gjetur mënyrën për të na mashtruar të gjithëve dhe të kapje unazën e artë atëherë kur vendi i punës papritur u hap përsëri.
Por, ne jemi ata që jemi, ty ta mori anën temperamenti dhe edhe njëherë i largove ata që kanë mundur të jenë miqtë tu. Të njoh, prandaj nuk befasohem që ke nevojë të fajësosh dikë tjetër për të metat tua dhe ma merr mendja që unë jam i fundit në listën tënde të gjatë të kurbaneve. (Por, në anën tjetër, të falënderoj që pate mirësjelljen dhe ia konfirmove opinionit publik se ke pasur dëshirë të bëhesh president dhe që ke qenë i gatshëm të bëje ujdi edhe me armikun tënd të përbetuar për ta arritur atë. Edhe pse do të doje të ziheshe rreth hollësive, ky mbetet thelbi i faktit i konfirmuar edhe nga vetë varianti yt i ngjarjeve).
E-maili i 11 shkurtit Në të vërtetë, ndoshta mendon se jam i çuditshëm ose i dalë mode që edhe tash, pas gjithë atyre këshillave të mençura nga ti dhe miqtë tu, unë prapëseprapë do t’i qëndroj besnik bindjeve të mia. Nuk do t’iu nënshtrohem tundimeve që të bëj public e-mailin tënd të fundit (11 shkurt 2011) pa lejen tënde për këtë.
A të kujtohet ai e-mail? Është ai ku, ndër të tjera, ti propozove një “president konsensual” (për të bllokuar gjedhjen e z. Pacolli) dhe koalicionin ndërmjet PDK-së dhe AAK-së, të mbështetur nga LDK-ja. O zot, sa shumë ndryshojnë pikëpamjet tona, varësisht nga fati ynë personal? Sa keq që nuk arrite t’i rezistosh tundimit prej asaj kohe dhe në mënyrë shumë publike dëshmove hipokrizinë tënde përtej çdo dyshimi, duke sulmuar pikërisht ato aranzhime politike dhe atë agjendë nacionale, të cilën e kishe avokuar atëherë kur mendoje se mund të të bënte president konsensual. Fundja, nuk funksionoi për ty këtë herë, por fraza nuk ishte e keqe, e as rezultati. Të faleminderit për të.
Pra, lamtumirë Veton. Jam i bindur se do të vazhdosh të tjerrësh teoritë e ndërlikuara komploti edhe shumë kohë pasi të kem shkuar unë, duke u mbështetur në nënkuptime dhe insinuata për të aluduar në shkeljet e rënda dhe sekretet e errëta aty ku nuk ke asnjë fakt, sepse nuk ka fakte. Por, jam i sigurt që kjo nuk do të të ndalojë.
Duket që dikur e në një kohë babai yt të ka mësuar shumë mirë se kjo është mënyra e sigurt për të mbledhur pike pa u lodhur fare dhe, për fat të keq, nën udhëheqjen “flakey” të motrës tënde është bërë normë standarde për atë që dikur ishte gazetë e mirë. Disi më vjen keq që këtë herë nuk do të ketë ndejë përshëndetëse, por pasi që i ke larguar shumicën e miqve të vjetër, kjo gjë është më pak zhgënjyese sesa që mund të mendosh.
Në fund, pasi që vështirë që do të gjejmë kohë për ndonjë bisedë private para se të shkoj nga Kosova, më lejo të shlyej borxhin për gjetjen e shprehjes “president konsensual”. Kur të vijë koha që të shkruash memoaret tua, është pothuajse e sigurt që libri do të jetë bestseller dhe ndoshta do të kthejë pasurinë në rënie të perandorisë suaj mediatike – nëse e kujton intervistën time në gazetën “Kosova Sot” dhe referencat letrare në fillim të kësaj letre. Të lutem, titulloje librin “Zvarraniku nga Ozi” (The Lizard of Oz). Jam i sigurt se pajtohesh që ky titull bie në sy dhe unë me dëshirë jap lejen time që ta përdorësh atë titull për të paguar çfarëdo borxhi të mbetur.
Shkelja e privatësisë
Përveç faktit se nuk kam mundur të ndryshoj rezultatin e zgjedhjeve për të mirën tënde, duket që mëkati im më i madh është se kam pasur guximin të them se vjedhja e komunikimeve private të të tjerëve përbënte gazetari të dobët, në fakt të rrezikshme, nga ‘Koha Ditore’ dhe KTV-ja. Ti dhe miqtë tu nga mediet bërtitët njëzëri se unë e kisha gabim dhe se interceptimi i paligjshëm i komunikimeve arsyetohet kur është në interes të publikut.
Me gjithë respektin, por nuk pajtohem me këtë, duke besuar që e drejta në privatësi është të paktën po aq fondamentale sa privilegjet që ti po i kërkon për mediet dhe në momentin që e tejkalon atë kufi atëherë bëhesh pjesë e problemit e jo zgjidhja e tij.
Ajo që ti arsyeton sot në emër të interesit të publikut do të përdoret si arsyetim nga njerëz të tjerë, me motive më pak fisnike se tuajat, për ta bërë të njëjtën gjë nesër.
Rruga që ke zgjedhur është e rrezikshme dhe mund të ndodhë që kjo gjë të të përndjekë ndonjë ditë.