Në luftën e Kosovës nuk ka patur vetëm gra të dhunuara seksualisht, por edhe fëmijë, pleq dhe burra.
Top Story ka sjell një tjetër rrëfim, këtë herë nga një burrë. Në moshën 34 vjecare, Agimi, pseudonimi i burrit në fjalë, është përdhunuar nga dy ushtar serb nën kërcënimin e armës.
“Kam qenë 34 vjeçar, në Deçan ka ndodhur. Jam i Deçanit, aty ka ndodhur ajo. Ka qenë një postobllok aty, në atë postobllok kishin dalë disa të rinjë. Kanë qenë djem të rinj me një makinë. Më thotë serbi, ndalu aty. Unë u ndal, e kisha një torbë me vete. Kur u ndal më thanë ku je duke shkuar? Nxirri duart ti shohim një herë. I nxorra duart, më tha, ah ti je i UÇK-së, je korrier që conë rroba. Kanë ardhur dy vetë, njëri ka qënë i zeshkët e tjetri ka qënë me flokët si ferra, pak më i imët në fytyrë. Ja ka bërë kape dhe vraje. Aty ka qënë një shtëpi me blloqe, nuk ka qënë e mbaruar. Ka thënë mere dhe coje, aty ka qënë edhe një livadh. Pas atij livadhit, në shesh të livadhit, unë e kam lënë torbën aty, dhe ata të dy kanë ardhur. Nisën të flisnin kështu me sharje, goxha fyerje të rënda. Më ka thën mua zhvishu, unë mendova se donte të më priste. Se dija raste përmes televizorit që i kanë prerë krejt. Dhe atëherë më kapi pak stresi, fillova të dridhem. I thash- çfarë?! Pantallonat hiqi! dhe unë i thash po jo, pse ? E di që më ka qëlluar një zeshkan si fillim dhe jam rrëzuar për tokë. Atëherë më kanë kapur prej dorës duke më thënë çohu shpejt, duke sharë. U çova… hiqi pantallonat.. i hoqa. Kanë qënë dy, nuk mundem ti harroj, se është diçka shumë e rëndë. Ka filluar i pari ai që ishte më i vogël, ai ka filluar të më dhunojë. Ai tjetri rrinte përballë dhe kishte një automatik , kanë qenë me rroba të ushtrisë të dy. Atëherë unë… nuk ka zgjatur shumë tre-katër minuta ai i vogli, ka thënë që e kreva punën e vetë. Edhe pse kam patur dhimbje edhe pse kam qarë gjithë kohën, po ç’të bëja ishte kështu, ose vdekjen ose….”, tregon burri.
Qëllimi i veprimeve që kanë kryer ushatrët dhe policët serb, ka qënë poshtërimi i figurës mashkullore dhe jo vetëm. Përveç dëmtimit fizik ata e kanë dhunuar edhe psikologjikisht.
“Ai përpara , ai zeshkani që ishte edhe më i tmerrshëm edhe që më rrahu më tha: “Tregoju nënave shqiptare se sa të fortë ne jemi”. Domethënë më kanë sharë me nënë e me motër, kam për të ti bërë kështu, por në atë frikë nuk kisha çfarë të bëja, as të rezistoja nuk mundesha. Ai më ka dalë përpara e më ka ç’njerzuar nuk më ka dhunuar por më ka ç’njerëzuar. Është diçka më e rëndë, shumë më e rëndë. Hajde ky tjetri nuk u soll keq dhe e kapërceva pak. Por ai ka dashur në mënyra të tjera, tani nuk po di, nuk kam qejf as të shprehem. Ka tentuar me ja marrë në gojë, kështu shqip tani flasim. Dhe ka ndodhur ajo që ka ndodhur . E kam parë veten shumë të ç’njerëzuar, prej atij momenti skam patur qejf me kujtu kurrë gjë. Pasi u shtrëngua ai atëherë ka ardhur e më ka dhunaur edhe ai. Më ka zgjatur shumë , nuk e harroj edhe më ka ranë edhe në kokë, gjatë atij sendit që ka bërë, gjatë seksit”, tregon burri.
Në ato momente i lutej zotit që serbët ta vrisnin, sepse nuk e pranonte atë që i kishin bërë.
“Çfarë kanë bërë?! Nuk ka drejtësi se po të kishin dalë ata dhe të thoshin unë në këtë datë ja kam bërë atë , edhe ja kisha fal. Po, veç me dalë me thënë, unë jam ai njeri që e kamë pashtëruar. Janë disa gjera që unë nuk mund ti tregoj se para seksit më kanë bërë gjëra shumë më të rënda. Po nuk dua të hyj në atë muhabet, që të tregoj se sa poshtë që na ka përkulur serbi, se nuk kemi pritur prej tyre tjetër gjë. Aman në anën tjetër kam menduar, më mirë pse s’më kanë vrarë. Jo të përjetoja kaq tmerr. Jo vetëm unë, por të gjithë që janë të dhunuar, gra të dhunuara , meshkuj të dhunuar ka shumë”, tregon burri.
Pasi ushtarët serb kanë mbarur me poshtërimet dhe me dhunën e ushtruar mbi të, e kanë lënë të lirë që të largohej. Agimi është veshur me rrobat e shqyera, me plagë nga automatiku në kokë dhe i gjakosur në pjesën tjetër të trupi është kthyer në shtëpi.
“Pas atij momenti, unë edhe nga frika ,se kisha dhe frikë, dhe barku më ka dhembur gjatë seksit . Nuk qe puna mirë dhe më ka hequr bark, e di që kam pasur një xhamper dhe ai e ka fshirë në xhamperin tim . Më ka ngritur kështu dhe më ka hedhur në tokë , gati kam rënë me turi. Ka qënë një çimento aty dhe jam mbrojtur, por e ka fshirë, më ka sharë, pastaj jam ngritur siç më kanë thënë. Më shumë jamë gëzuar kur e pash vetën të lirë, thash po më çojnë tani. Ka qenë një livadh aty, kaloj ndonjëherë andej . Nuk ka gjë më të vështirë kur kaloj ndonjëherë dhe shoh nga largë , më dridhet trupi”, tregon burri.
Përballja e parë ka qënë me bashkëshorten dhe djalin e tij por ata nuk e kuptuan atë që kishte ndodhur. Agimi nuk u tregoi gjë. Madje as sot e kësaj dite, të afërmit e tij nuk e dinë se çfarë ka ndodhur.
“Jo familja nuk e di, edhe pse kam qënë pak i përgjakur”.