Dëmtimi i gjeneratorit të energjisë elektrike ka lënë në terr të martën mbrëma Burgun e Sigurisë së Lartë në fshatin Gërdovc të Komunës së Podujevës.
Gjeneratori që ka lënë pa energji elektrike Burgun e Sigurisë së Lartë është dëmtuar nga vetëtima sonte rreth orës 20:00, ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, Nehat Thaçi, drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK).
Thaçi ka deklaruar se zyrtarët e ShKK-së janë vazhdimisht në kontakt me KEDS-in, Kompaninë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike, në mënyrë që të rikthehen sa më shpejtë dritat në qendrën korrektuese të Dyzit.
“Vetëtima e ka goditur gjeneratorin dhe si pasojë e ka dëmtuar atë. Kemi mbetur pa energji elektrike prej rreth orës 20:00, janë bërë gati dy orë dhe tani jemi duke komunikuar me KEDS-in për të risjell energjinë elektrike”, ka deklaruar Thaçi.
Thaçi ka deklaruar se “nuk ka asnjë problem [për procesin korrektues, v.j.]” dhe se pritet që shumë shpejtë të rikthehet furnizimi me energji elektrike në Dyz.
Gjatë kësaj periudhe gati dy-orëshe, Burgun e Sigurisë së Lartë është duke e ruajtur Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, ka nënvizuar se Policia e Kosovës i ofron asistencë ShKK-së çdo herë që institucioni korrektues kërkon mbështetjen e Policisë.
“Policia e Kosovës i ofron asistencë çdo institucioni që kërkon atë, sikurse Shërbimit Korrektues të Kosovës, ashtu edhe KEK-ut apo institucioneve të tjera të vendit”, ka pohuar Krasniqi.
Burgu i Sigurisë së Lartë është institucion i nivelit të lartë të sigurisë dhe është i shtrirë në një hapësirë prei 11 hektarësh i përbërë nga sektorë të ndryshëm, ku pjesa e jashtme përbëhet nga objektet e Administratës, kurse në pjesën e brendshme janë te vendosur 3 pavijone.
Kapaciteti i këtij burgu është 390 shtretër ku secili i dënuar është i vendosur veçmas në një dhomë.