Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, në hapje të fushatës zgjedhore në Podujevë për kryetar të Komunës, ka thënë se komuna është e të gjithëve, se nuk diskriminon, dhe se “atë diskriminim që e përjetojnë qytetarët do të marrë fund më 15 mars”.
“Ekspertët e LVV-së kanë hartuar një program qeverisës të gjithmbarshëm që premton një zhvillim ekonomik, shëndetësi, arsim, kulturë, rini dhe sport. Fusha e parë është administrata, politikat dhe masat administrative të paanshme, me shërbime të digjitalizuara, e-kiosqet, rritja e numrit të tyre, 3 prej tyre në fshatra të llapit, e-shpenzimi”, u shpreh ai, raporton “Koha Ditore”.
Ai tha se para Komunës së Podujevës, është edhe Graçanica për sa i përket transparencës së shpenzimeve, ndërsa shtoi se me ardhjen e tij në pushtet do të bëhet publikimi i të gjitha vendimeve të komunës.
Tha po ashtu se të gjithë qytetarët duhet të gëzojnë një arsim cilësor, ndërsa shtoi se për të përmirësuar cilësinë në arsim do të bëhet rekrutimi në baza profesionale e jo në baza partiake “qysh ka ndodh deri tash”.
“Do të furnizohen shkollat me kabinete profesionale. Do të krijojmë mundësi për punë praktike për nxënësit e shkollave profesionale me biznese, do ta bëjmë renovimin e të gjitha shkollave. Zotohem që për këto dy vite do ta ndërtojmë edhe një çerdhe publike. Mësimdhënësit tanë, menaxherët e shkollave, do të trajnohen në seminare të ndryshme dhe nuk do të diskriminohen sikur deri tash që janë mbajtur me ushtrues detyre, por sigurisht se do të kërkojmë përgjegjësi nga ta”, theksoi Bulliqi.
Ai tha se komuna e Podujevës përballet me një gjendje të rëndë ekonomike. Për të zbutur këtë gjendje, Bulliqi tha se do të krijohet një zonë ekonomike, pastaj të gjitha bizneset në komunë do të lirohen nga tatimet komunale.
“Nga 15 marsi, këto do të jenë të lira nga këto ngarkesa të tilla. Fondi prej 500 mijë euro në vit do të jetë i destinuar për grante në bujqësi. Bujqit do të mbështeten me 50 për qind të investimit. Pyllëzim i pyjeve, do të shpenzohen 200 mijë euro për pyllëzimin dhe rigjenerimin e tyre. Do t’u ofrojmë këshilla profesionale bujqve”, u shpreh ai.
Për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale, Bulliqi tha se do të ketë shërbime shëndetësore cilësore pa pritje të gjata, rend dhe rregulla në Qendra të Mjekësisë Familjare.
“Shembull kur kemi qeverisur në Komunën e Prishtinës me Arben Vitinë. Ju e dini se nja 3 herë kemi prerë shirita për spitalin, por ende nuk e kemi funksional. Me qeverisjen tonë dhe me ministrin Vitia, do ta funksionalizojmë spitalin e qytetit. Do të ndajmë një fond prej 500 mijë euro për QMF-të. Vizita sistematike shëndetësore nëpër shkolla, krijimi i një programi social të banimit”.
Për urbanizmin dhe ambientin, Bulliqi tha se do të bëhet miratimi i hartave zonale në bashkëpunim me qytetarë dhe profesionistë të fushave.
“Gjatë këtyre dy viteve do të mbillen 10 mijë fidanë përgjatë rrugës ‘Zahir Pajaziti’, ‘Xhemajl Mustafa’ dhe ‘Skënderbeu’. Do të bëhet rrvitalizimi i Parkut të Paqes te pishat. Aty do të ndërtohen edhe fusha sportive që do të shërbejnë për rekreacion të qytetarëve. Do të punojmë në shiritin e gjelbër. Do të bëjmë regjistrimin dhe evidentimin e të gjitha pronave komunale”, potencoi kandidati i VV-së për kryetar të Komunës së Podujevës.
Për infrastrukturën, ai tha se do të bëhet hapja e disa rrugëve në zonën e qytetit, “se ju jeni dëshmitarë se Podujeva është ngulfatur”.
“Vazhdimi i punëve të ndërtimit të kanalizimit të ujërave të zeza, ndriçimi publik në fshatra, ndërtimi i shtëpisë së kulturës, ndërtimi i dy sallave të edukatës fizike në shkollën ‘Naim Frashëri’ dhe ‘Enver Maloku’”, tha mes tjerash Shpejtim Bulliqi në hapjen e fushatës.