Zyrtarët shëndetësorë po mundohen ta gjurmojnë një person në Angli që është infektuar me variantin e ri të koronavirusit që është zbuluar në Brazil.
Ky është një prej gjashtë rasteve me variantin P1 të koronavirusit të zbuluara deri më tash në Britani në shkurt.
Personi nuk e ka kompletuar formën e regjistrimit për testim dhe mbetet i paidentifikuar. Kjo ka shtyrë autoritetet që të bëjnë thirrje te të gjithë personat që nuk e kanë marrë rezultatin nga testimi më 12 apo 13 shkurt të lajmërohen.
Varianti P1 së pari është zbuluar te disa udhëtarë që po udhëtonin në Japoni nga qyteti verior brazilian Manaus në janar.
Varianti thuhet se përhapet më shpejt.
Tre nga gjashtë rastet e identifikuara në Britani me variantin e Brazilit janë skocezë që kishin udhëtuar në Aberdeen nga Brazili. Ata janë në vetizolim. Edhe pasagjerët tjerë që ishin në aeroplanin e njëjtë për në Aberdeen po kontaktohen.
Ndërkohë dy prej tre personave tjerë me këtë variant janë në Angli nga një familje që ishte kthyer nga Brazili më 10 shkurt.