Së paku 18 persona janë vrarë gjatë përleshjeve mes protestuesve dhe forcave të sigurisë në Bagdad të Irakut vetëm gjatë natës së kaluar. Lajmin e kanë bërë të ditur burimet policore dhe shëndetësore. Qeveria po mundohet t’i qetësojë protestuesit përmes prezantimit të një plani të ri për reforma.
Shkalla e lartë e këtyre protestave, në të cilat u vranë rreth 100 njerëz nga e marta e kaluar, i ka zënë në befasi autoritetet. Dy vjet pas fitores kundër Shtetit Islamik, gjendja e sigurisë është më e mirë se më parë, por niveli i korrupsionit është i lartë, ka shumë papunësi dhe shërbimet publike janë të dobëta.
Plani me 17 pika i kryeministrit Adel Abdul Mahdi erdhi si rezultat i një takimi emergjent të kabinetit qeveritar të shtunën në mbrëmje.
Në këtë plan përfshihet pagesa e pjesshme e shpenzimeve të përditshme për njerëzit e varfër, shtimi i ndihmave sociale për personat e papunësuar si dhe programet e trajnimit dhe huat e vogla për të rinjtë.
Familjet e personave të vrarë gjatë protestave gjithashtu do të dëmshpërblehen dhe ndaj tyre do të ketë përkujdesje njësoj si ndaj familjeve të forcave të vrara në luftë, shkruan “Reuters”.