Brenda figurave të AAK-së ka nisur një përplasje rreth votave që disa pandehin se u janë vjedhur.
Së fundmi, kandidati për deputet nga koalicioni AAK-PSD, Burim Ramadani, ka thënë se gjatë procesit zgjedhor më 6 tetor 2019, janë avulluar votat, e me këtë rast ka publikuar edhe fotografi.
“Ja një rast qysh avullohen votat! Qendra e Votimit 2401A, Dhoma nr. 2. Në Fletën Llogaritëse janë 58 vota. Në Formularin Zyrtar janë 0 vota. Pra, 58 qytetarë në Suharekë kanë votuar, por Komisionerja Sh.K ka vendosur që t’i avullojë ato vota. Sigurisht, duhet të ketë rinumërim. Sigurisht, dikush duhet të shkojë në Gjykatë e të merr dënim”, ka shkruar Ramadani, përcjell Koha.net.
Në këtë status të tij, kanë komentuar edhe Shqipe Kastrati e Besa Luzha, të dyja kandidate për deputete nga koalicioni AAK-PSD.
“Ja edhe rasti im. Një ditë më parë më uruan se për momentin kam 602 vota në Suharekë,të nesërmen u “avulluan” në 34???!!!”, ka shkruar Kastrati.
Ndërkaq, për komentin e Ramadanit, kandidatja për deputete Besa Luzha ka thënë se “shembuj si ky, tregojnë, sa i brishtë është ky proces të cilin e lavdëruam të gjithë, sepse nga jashtë, garat në mes partive, vërtet ishin fer. Problemi pra është gara e ndyrë, brenda llojit”.
Edhe gjatë ditës së djeshme, kandidati i AAK-së për deputet, Muharrem Nitaj është shprehur i zhgënjyer me procesin zgjedhor, duke pohuar se ‘po thonë se shumë nga kandidatët, me çanta me para kanë paguar për të fituar mandatet e tyre’.
“Po thonë se shumë nga kandidatët, me çanta me para, i paskëshin blerë mandatet e tyre. Me vjen keq për ta se janë të mjerë. Po thonë që edhe shumë të tjerë paskëshin paguar shumë para e nuk i paskëshin fituar mandatet! Për ta më vjen mirë se haram duhet t’i kenë pasur! Por më së shumti ndiej keqardhje, pse ata që nuk patën para e duhej të ishin zgjedhur, nuk e kaluan pragun! Këtë here nuk ishte koha e tyre! Po lexoj se shumë nga kandidatet po kërkojnë të hapen kutitë e të numërohen votat një për një! Mosni se kjo nxjerr telashe të mëdha, sepse shumë njerëz duhet të koriten, ndonjëri edhe të shkojë në burg ndoshta, e kështu të prishet darka e qejfit të zgjedhjeve, he mos kofshin! Lëreni siç është, se më mirë as që duhej të ishte!”, ka shkruar Nitaj në Facebook.
Ngjashëm, ka ndodhur edhe brenda Partisë Demokratike të Kosovës. Blerim Latifi qe ndër të parët që pas shpalljes së rezultateve tha se PDK-në se ka mundur as VV-ja e as LDK-ja, por lufta brenda vet partisë për vota.