Boksieri Naim Terbunja është antarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje.
Lajmin e ka bërë të ditur kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
Kurti ka shkruar se Terbunja ka ngadhënjyer me talentin dhe përkushtimin e tij, kurse tani me dëshirën që t’iu ndihmojë të rinjëve për pasionin në sportin individual, ai i është bashkuar LVV-së.
Postimi i plotë i Kurtit:
Naim Terbunja anëtarësohet në Lëvizje. Naimi është boksier profesionist me një karrierë të bujshme prej 236 meçeve gjithsej dhe me vetëm një humbje. Ai ka lindur në vitin 1984, në Prishtinë, por për shkak të rrethanave politike të asaj kohe është detyruar të largohet në moshë të hershme për në Suedi. Atje, Naimi ndoqi pasionin e tij për sportet, e veçanërisht për boksin, duke renditur sukseset.
Në vitin 2009 ai ka fituar Golden Gloves në New York, për ta përfaqësuar më pas këtë shtet në garën nacionale në ShBA. Si profesionist, ai ka fituar tre herë turneun ndërkombëtar të boksit “Adem Jashari” që organizohet në Kosovë, dhe me të njëjtin sukses i ka përmbyllur disa turne të tjerë jashtë vendit.
Në Suedi, ai është shpallur tetë herë kampion boksi dhe ka përfaqësuar këtë shtet në Lojërat Olimpike të mbajtura në Peking gjatë vitit 2008.
Me talentin dhe përkushtimin e tij, Naimi ka ngadhënjyer. Tani, me dëshirën t’iu ndihmojë edhe të rinjve që kanë talentin e pasionin në sportin individual, ai iu bashkua VETËVENDOSJE!-s. Jam i lumtur për këtë gjë. Naimin e takova përmes aktivistit tonë të përkushtuar, Sekretarit Organizativ të Pikës tonë në lagjen Bregu i Diellit të Prishtinës, Milot Podvorica./Telegrafi/