Joe Biden është zgjedhur Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas projeksionit të Decision Desk, një organizate kredibile amerikane që analizon rezultatet e zgjedhjeve.
Sipas projeksionit të Decision Desk, kandidati demokrat për President të ShBA-ve ka fituar garën në shtetin federal të Pensilvanisë dhe 20 vota elektorale për t’ia siguruar atij 173 vota elektorale në total.
Me përmbysjen e rezultatit dhe fitoren e siguruar në Pensilvani, sipas Decision Desk, Joe Biden ka triumfuar në Zgjedhjet Presidenciale. Ai do të jetë Presidenti i ri i ShBA-ve, bazuar në projeksionet e Decision Desk.
Ndërkaq, fushata e Trumpit ka nisur një stuhi të veprimtarisë ligjore duke sfiduar procesin e numërimit, ndërsa hedh dyshime mbi rezultatet e zgjedhjeve.
Presidenti Trump gjatë fushatës së gjatë dhe të egër sulmoi vazhdimisht integritetin e sistemit të votimit të vendit.
Trump dëshiron që asnjë fletëvotim i pranuar pas ditës së zgjedhjeve më 3 nëntor të mos numërohet. Ekzistojnë vendime gjyqësore që lejojnë numërimin e atyre votave në shtetet ku lejon legjislacioni vendor.
Sipas rezultateve të fundit për zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, Biden ka 253 të votave të Kolegjit Elektoral, ndërkaq Trump ka 214. Për t’u zgjedhur president, një kandidati i duhen së paku 270 vota elektorale.