Besnik Bislimi do ta ketë pritur këtë ditë. Ai e ka në duar udhëheqjen e vendit – të paktën de jure – për një periudhë që nuk dihet se sa do të zgjasë. Zëvendësi i Albin Kurtit do ta shohë (nëse nuk e ka parë tashmë) dorëheqjen e shefit të tij dhe të kolegëve qeveritarë që janë zgjedhur deputetë në zgjedhjet e fundit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet t’i certifikojë sot rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, sipas rendit të ditës së një mbledhieje që KQZ-ja e ka bërë publik.
Anëtarët e kabinetit qeveritar, si ministrat – përveç Liburn Aliut të Infrastrukturës – do të duhej të jepnin dorëheqje dje. Kryeministri Albin Kurti gjithashtu. Nuk dihet ende nëse e kanë bërë këtë formalisht.
Këtë procedurë e parasheh ligji për Qeverinë.
“Në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve”, thotë pika e parë e nenit 26 të këtij ligji, në pjesën që përcakton papajtueshmërinë me funksionin e anëtarit të Qeverisë dhe parandalimin e konfliktit të interesit.
Zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi do të jetë formalisht ushtrues detyre i kryeministrit derisa të zgjidhet Qeveria e re.
53-vjeçari nga Bukoviku i Gjilanit, i cili vetëm pasi përjetoi emërimin në pozitën më të lartë në karrierën e tij politike bëri emër në mes të figurave të LVV-së në masë, do t’i marrë kështu, të paktën formalisht, frerët e udhëheqjes së vendit për një kohë të pacaktuar, me procesin e sivjetmë paszgjedhor që është vështirë i parashikueshëm.
Qeveria, kështu, bëhet Qeveri në Detyrë, siç edhe thotë pika e pestë e nenit 95 të Kushtetutës: “Në rast të dorëheqjes së Kryeministrit, qeveria në detyrë vazhdon të kryejë funksionet deri në zgjedhjen e qeverisë së re”.
Në Qeverinë Kurti 2, zyrtarit të LVV-së që merret specifikisht me organizimin e partisë për zgjedhjet – në të cilat vetë zakonisht nuk merr pjesë – i është besuar edhe një nga çështjet më të rëndësishme – dialogu me Serbinë.
Gjykata Supreme të mërkurën i hapi rrugë certifikimit të rezultateve përfudimtare të zgjedhjeve, kur i refuzoi si të pabazuara ankesat që kishin shkuar lidhur me rezultatet përfundimtare.
Eugen Cakolli nga koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim vuri në dukje të mërkurën me këtë rast se “kjo nënkupton që anëtarët e Qeverisë, të cilët kanë fituar mandat deputeti, duhet që deri sot (ose më së largu nesër – nëse KQZ-ja nuk mban mbledhje sot) të dorëzojnë dorëheqjet e tyre”.
Lëvizja Vetëvendosje deri më tani nuk i ka pranuar rezultatet e këtyre zgjedhjeve, duke kërkuar anulimin e disa votave e rivotim me postë për shkak të disa parregullsive që pretendon se kanë ndodhur. Partia e Kurtit ka paralajmëruar se do t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese, megjithëse, ankesat e tilla “as nuk e ndikojnë, as nuk e vonojnë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve”, sipas Cakollit.
LVV-ja ka marrë 42.30% të votave, sipas rezultateve përfundimtare dhe do t’i ketë 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave (24 deputetë), ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27% (20 deputetë). Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me Nismën dhe të tjerët ka marrë 7.06% të votave (8 deputetë – 5 AAK, 3 Nisma).
Me rezultatet përfundimtare të cilat imponojnë bisedime jo të lehta për formimin e Qeverisë së re, partitë opozitare po e presin certifikimin e rezultateve, duke konfirmuar në çdo rast se nuk do të bëjnë koalicion qeverisës me LVV-në. Përjashtim këtu bën Nisma e Fatmir Limajt, pozicioni i së cilës mbetet më i paqartë.
Kuvendi duhet të konstituohet pasi të jenë certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, në një seancë e cila “mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”, sipas Kushtetutës.
Presidentja Vjosa Osmani “e thërret seancën e parë të Kuvendit”, sipas pikës 3 të të njëjtit nen (66) të Kushtetutës. Nëse ajo nuk është në gjendje ta bëjë këtë, “Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e Presidentit”.