Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi është duke raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë për vizitën në Bruksel.
Bislimi ka sjellë me vete dosjet që ai thotë se i ka marrë me vete në Bruksel gjatë takimit informues për dialogun me Lajçakun, shkruan Reporteri.net.
Bislimi po ashtu ka prezantuar edhe një dosje të dytë që thotë se ka dikund 200-300 faqe e të cilën thotë se ia ka dorëzuar Lajçaku rreth procesit të dialogut. Ai po ashtu ka prezantuar edhe dosjen rreth procesit të dialogut që ia ka dorëzuar Qeveria e kaluar.
Bislimi ka thënë se kjo dosje nuk përmban asgjë konkrete.
“Kjo është dosja e dokumenteve që i kam marrë me vete në Bruksel vetëm për takim informues. Kjo është dosja që më është dhënë nga Lajçak në fillim të takimit, ka dikund 200-300 faqe. Kjo është dosja që na është dorëzua nga Qeveria për krejt procesin e dialogut. Aty nuk ka asgjë konkrete. Vetëm se thuhet jemi taku, me këtë aeroplan jemi kthy, takimi ka qenë i mirë. Nuk ka në substancë asgjë”, u shpreh Bislimi ndër të tjera në Komision.