Njësitë speciale të policisë belge janë në kërkim të një ushtari të armatosur rëndë me pikëpamje të ekstremit të djathtë, i cili besohet se përbën një kërcënim serioz.
I dyshuari quhet Jurgen Conings, një instruktor qitjeje që mori armë nga një kazermë.
Ai thuhet se ka bërë kërcënime në të kaluarën kundër virologut, Marc Van Ranst, i cili udhëhoqi Shëndetin publik të Belgjikës ndaj koronavirusit.
Van Ranst dhe familja e tij janë dërguar në një vend të sigurt, shkruan BBC.
Policia belge u bëri thirrje qytetarëve që në rast se takojnë të dyshuarin të mos i afrohen. Kjo pasi autoritetet atje thonë se ai përfaqëson nivelin më të lartë të kërcënimit dhe mund të ketë plane për të sulmuar individë ose institucione.
Policia kontrolloi me orë të tëra një pyll pranë qytetit Dilsen-Stokkem, jo shumë larg shtëpisë së të dyshuarit në provincën veriore të Limburg, pasi një makinë që thuhet se i përkiste ushtarit u pa që kishte brenda armë të rënda.
Brenda makinës ata gjetën katër raketa hedhës dhe municione teksa besojnë se i dyshuari është ende i armatosur me armë të tjera, duke përfshirë një automatik, dhe një jelek antiplumb.
Raportet e përshkruanin atë si një “ekstremist potencialisht shumë të dhunshëm”, tutje thuhet se i dyshuari mund të ketë lënë letra që tregojnë se ai është i përgatitur për një betejë vdekjeprurëse me policinë dhe “nuk mund të jetojë më në një shoqëri ku politikanët dhe virologët na kanë marrë gjithçka”.