Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca sonte tha se Qeveria e Kosovës nuk duhet të ngutet që ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë.
Ai tha se kjo duhet të shtyhet, edhe pse në programin zgjedhor, Lëvizja Vetëvendosjes kishte proklamuar heqjen e taksës dhe vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.
“Për taksën nuk duhet të kemi përplasje të brendshme. Duhet konsensus i gjerë nëse e heqim, sepse i kemi vendosur një kusht të fuqishëm Serbisë. Nuk mendoj se taksa duhet të hiqet shpejt e të vendoset reciprociteti”, tha ai në t7, transmeton Ballkani.info.
Sipas tij, duhet dëgjuar edhe opozita për taksën, sidomos AAK-ja, pasi që ka qenë ish kryeministri Haradinaj që e ka vendosur atë.
“Nuk guxojmë ta prishim balancin e brendshëm për shkak të Serbisë, sepse kjo taksë është vendosur për ta dënuar Serbinë dhe mirë që është vendosur. Duhet të pyetet opozita, AAK-ja dhe PDK-ja. Kjo çështje duhet të flejë, pra nuk bën të ngutemi”, tha ai.