Dy lokacione janë bastisur nga Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme në Zveçan. Bastisjet lidhen edhe me sulmin terrorist që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të këtij qyteti.
Lajmin për KALLXO e ka konfirmuar edhe nga zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.
“Po, bastisjet lidhen me sulmin që ka ndodhur në Banjskë” – ka thënë Elshani.
Ai ka treguar se nuk ka ndonjë të arrestuar nga këto raste.
I pyetur nëse është gjetur diçka, Elshani ka thënë se nuk mund të flas për këtë pasi bastisjet janë kryer nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës.
Më 24 shtator 2023, në orët e para të mëngjesit ka ndodhur një sulm terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, gjatë të cilit ka vdekur një polic. Në këtë sulm i vrarë mbeti rreshteri Afrim Bunjaku, u plagos një polic e u lëndua një tjetër. Organet e rendit kanë konfirmuar zyrtarisht që janë vrarë tre pjesëtarë të grupit terrorist.
Për këtë sulm përgjegjësinë e ka marrë Millan Radoiçiq, tashmë ish-nënkryetari i Listës Serbe. Ai më 3 tetor 2023 është ndaluar nga autoritetet serbe por një ditë më vonë, më 4 tetor 2023, Gjykata e ka liruar nga ndalimi. Të njëjtit i është ndaluar të largohet nga vendbanimi, të largohet nga Serbia, i është ndaluar të hyjë në Kosovë, i është konfirmuar pasaporta dhe i njëjti është urdhëruar të paraqitet dy herë në muaj në stacionin policor.