Ministria e Punëve të Jashtme e Tajvanit (MPJ) ka bërë thirrje për t’i dhënë fund përjashtimit të Tajvanit nga organi transnacional i kontrollit të krimit-INTERPOL, duke përmendur mbështetjen e gjerë nga ligjvënësit ndërkombëtarë.
Gjatë një konference virtuale për shtyp të martën në mëngjes, zëdhënësja e MPJ-së, Joanne Ou, tha se gjithsej 570 ligjvënës nga më shumë se 30 vende kishin shprehur mbështetjen e tyre për pjesëmarrjen kuptimplotë të Tajvanit në INTERPOL, në formën e rezolutave, deklaratave, si dhe në formë individuale ose përmes komunikatave të përbashkëta.
Komentet e Ou erdhën përpara Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it të së martës në Stamboll, ku përfaqësues nga 194 vendet anëtare të trupit do të takohen për të zgjedhur udhëheqjen e re dhe për të votuar mbi politikën e kësaj organizate.
Sipas Associated Press, grupet e të drejtave të njeriut janë zemëruar me prirjen autoritare të disa prej kandidatëve për udhëheqjen e këtij organizmi, duke përfshirë Hu Binchen të Kinës, i cili është i gatshëm të zë një vend në Komitetin Ekzekutiv të INTERPOL-it.
Kritikët, kryesisht qeveritë perëndimore dhe organizatat e të drejtave të njeriut, kanë akuzuar Pekinin për përdorimin e INTERPOL-it për qëllime politike, si arrestimin e disidentëve të mërguar dhe zhdukjen e qytetarëve.
Tajvani iu bashkua INTERPOL-it në vitin 1961 si Republika e Kinës, por u detyrua të tërhiqej në vitin 1984 pas hyrjes në të të Republikës Popullore të Kinës.
Pjesëmarrja e saj është bllokuar që atëherë me një rezolutë të miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të 53-të të INTERPOL-it në të njëjtin vit.
Në fillim të nëntorit, 71 ligjvënës amerikanë i dërguan një letër të përbashkët presidentit Joe Biden duke i kërkuar administratës së tij që të ndihmonte përpjekjen e Tajvanit për t’u bashkuar me INTERPOL-in, duke thënë se “mungesa e pjesëmarrjes së Tajvanit lë një boshllëk në përpjekjet globale për luftimin e krimit”.
Ou tha se Tajvani do të vazhdojë të kërkojë mbështetje nga aleatët dhe vendet me të njëjtin mendim, si dhe do t’i nxisë ato të shtojnë zërin e tyre në lobimin për përfshirjen e Tajvanit në INTERPOL.
Tajvani po kërkon të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it si vëzhgues dhe shpreson të marrë pjesë në të gjitha takimet, mekanizmat dhe aktivitetet e organizatës, sipas Ou.
Për më tepër, zëdhënësja e MPJ-së tha se Tajvani shpreson t’i jepet qasje në I-24/7, një sistem i sigurt global i komunikimit policor.
Sipas Interpolit, I-24/7 lidh agjencitë e zbatimit të ligjit në shtete të ndryshme anëtare dhe u mundëson përdoruesve të autorizuar të ndajnë informacione të ndjeshme dhe urgjente policore me homologët e tyre anembanë globit.