1 pjesëtarë të xhandarmërisë serbe me veshje të kamufluara e të armatosur janë parë pasditen e djeshme pranë restorantit “Oxygen”, në fshatin Karaçevë.
KosovaPress mëson se kanë qenë tri grupe të xhandarëve serbë të cilët dje kanë patrulluar në territorin e Kosovës duke shkaktuar shqetësim dhe terrorizim të qytetarët e zonës kufitare të Kamenicës. Banorë të këtij fshati u bëjnë thirrje institucioneve që të ndërmarrin diçka, në të kundërtën thonë se janë të detyruar t’i dalin në mbrojtje tokave të tyre.
Me shumë se 20 vjet pas luftës, Kosova po vazhdon të ketë problem me territor.
Pronari i restorantit “Oxygen”, Madhrim Krasniqi tregon për KosovaPress se si dje pasdite 11 xhandarë serbë me veshje të kamufluar kanë kaluar pranë tyre, duke shqetësuar qytetarët e kësaj ane.
“Ka qenë një grup i paramilitarëve ose xhandarmërisë serbe kanë kaluar pranë restorantit ‘Oxygen’. Ka qenë një shqetësim i madh tek banorët e Karaçevës por edhe te mysafirët e restorantit. Jemi ndjerë shumë të shqetësuar edhe një provokim shumë i madh nga ushtria e Serbisë që kalon pranë restorantit ‘Oxygen’, në brendësi të territorit tonë. Provë private është një km larg kufirit. Kam pasur myshteri me fëmijët të cilët e kanë parë xhandarmërinë. Kanë kujtuar që janë ushtria e KFOR-it, dhe janë shqetësuar tej mase kur e kanë parë xhandarmërinë serbe duke kaluar këndej”, deklaron ai.
Krasniqi tregon se nuk është hera e parë që pjesëtarë të xhandarmërisë serbe kanë kaluar këtej, derisa shton se kanë njoftuar të gjitha institucionet.
“Së pari e kam njoftuar Policinë e Kosovës, kryetarin e komunës. Edhe tash pres nga institucionet dhe organet që kjo pjesë të vizitohet më shpesh nga Policia e Kosovës që qytetarët të jenë të qetë edhe pres që nga organet të jetë një pikë statike në fshatin Karaçevë… fajtor për këtë së pari është qeveria që nuk ndërmerr masa për të mbrojtur territorin e Kosovës. Dhe ne duam edhe sqarim prej KFOR-it që të dimë të jemi të sigurt që ta ushtrojmë veprimtarinë e tonë të sigurt që të mos kemi frikë”, shton ai.
Pronari i këtij restoranti thotë për KosovaPress se në rast se nuk ndërmerret diçka në mbrojtjen e këtij territori, duhet që t’i dalin vetë në mbrojtja tokave të fshatit Karaçevë.
“Nëse nuk na mbron shteti do të mbrohemi vetë”.
Imami i xhamisë së fshatit Karaçevë, Bujar Fehra, tregon se tash e dy dekada ky fshat nuk është i sigurt. Sipas tij, banorët e këtij vendi po përballen me pasigurie provokime nga xhandarmaria serbe.
Për këtë ai tregon se si banorë të fshatit kanë alarmuar disa herë, por që asnjëherë nuk është ndërmarrë asgjë.
“Jemi një pjesë e pambrojtur e Kosovës, as nga institucionet qendrore, as nga ato komunale. Megjithatë reagimet tona të ditës së djeshme dhe ato të sotme mendoj dhe shpresoj që janë të arsyeshme për shkak se gjithmonë na është kërkuar që të kemi fakte të tilla që të argumentojmë shkelje të territorit nga xhandarmëria serbe”.
Ai kërkon një sqarim nga institucionet e vendit, duke shtuar se është koha e fundit kur duhet të ndërmerret diçka për këtë zonë.
Banorë të këtij fshati i kanë thënë KosovaPress-it se gjatë ditës së djeshme kanë qenë tri grupe të xhandarmërisë serbe të cilat kanë kaluar në fshatin Karaçevë.
Për këtë nënkryetari i komunës, Faton Jakupi ka thënë se ende nuk kanë marrë përgjigje nga KFOR-i pse është lejuar që xhandarmëria serbe të futet në këtë pjesë të territorit të Kosovës.
Ndërkohë qe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se do të veprojnë në përputhje me kushtetutën. Për këtë ka pasur reagime edhe nga partitë politike dhe përfaqësues të tyre.