Pavarësisht pandemisë COVID-19, bankat komerciale në Kosovë kanë shënuar fitim prej 79.9 milionë euro. Mirëpo, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019, fitimi i tyre është më i vogël për 6.3 milionë euro.
Në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) mbi sistemin financiar, shihet se të hyrat e bankave kanë qenë 279.3 milionë euro, ku 212.2 milionë euro ishin të hyra nga interesi, kurse në muajin dhjetor të 2019-së është raportuar se këto të hyra ishin 263.2 milionë euro.
Për sa i përket shpenzimeve të bankave, në raport thuhet se 97.3 milionë euro kanë qenë shpenzime administrative, kurse 22.7 milionë euro shpenzime të interesit, shkruan Telegrafi.
Zgjerimi i aktivitetit kreditues të sektorit bankar vazhdon të mbështetet nga ecuria e depozitave, rritja e të cilave paraqet burimin kryesor të financimit të kreditimit në vend.
Vlera e depozitave deri në këtë periudhë arriti në 4.36 miliardë euro, krahasuar me 3.91 miliardë euro që ishin një vit më herët, pra kishte rritje vjetore prej 11.5 për qind.