Derisa në Kosovë po shënohen shifra alarmante të të vdekurve dhe të prekurve nga pandemia COVID-19, një këngëtar vendosi të promovojë albumin e tij me grumbullime të njerëzve.
Këtë gjë në fillim nuk e ndali policia, por e përcolli nga qytet në qytet derisa krejt në fund të ditës mori vendim që të anulohet për shkak të rrezikut së shëndetit publik, njofton Klan Kosova.
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tubimit të organizuar nga këngëtari Gramoz Aliu, i njohur në publik si Mozzik, në Mitrovicë tha se i është dhënë leje nga Qeveria e Kosovës pa e pyetur fare komunën dhe pa një dakordim të përbashkët me të.
“Me këtë rast janë shkelur të gjitha udhëzimet e dhëna nga institucionet shëndetësore për masat mbrojtëse ndaj koronavirusit COVID-19. Kjo Qeveri me çdo veprim të saj po tregon që është e papërgjegjshme dhe nuk i shërben jetës së qytetarëve të Kosovës”.
“Inspektorët komunalë me vetëmohim po e kryejnë punën e tyre çdo ditë, në bashkëpunim të plotë edhe me stacionin policor ne Mitrovicë, po leje të tilla të dhëna nga niveli qendror tregojnë se kjo Qeveri mbron vetëm interesa grupore dhe nuk janë të interesuar për bashkëpunim ndër-institucional në të mirë të të gjithë qytetarëve”.
“Nga e hëna komuna e Mitrovicës do të ndërmerr veprime të reja në shërbim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, por tash do ta marrim vet përsipër mbrojtjen nga COVID-19, sepse ata që e vodhën pushtetin qendror vetëm dëme me efekte të pariparueshme po shkaktojnë. Kam respekt për gjithë këngëtarët, por veprimi i sotëm është i papranueshëm dhe i dëmshëm”.