Ish-Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni i njohur për rastin “Pronto” do të jetë pjesë e grupit punues që do të hartojë koncept-dokumentin për procesin e Vetingut në sistemin e drejtësisë.
Se Bahri Hyseni, do të jetë një nga anëtarët e këtij grupi, e ka konfirmuar vetë Ministria e Drejtësisë në një përgjigje “Reporteri.net”.
Bahri Hyseni ka qenë figura më e përfolur në rastin e përgjimeve të “Prontos”. Në përgjimet e publikuara, ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, e thërret në telefon dhe e pyet nëse ka “kunkuruar” në një bord.
Përmendjen e emrit të tij në këtë përgjim, Hyseni e kishte cilësuar si keqkuptim, derisa kishte deklaruar se grupi i njohur si “Pronto” nuk ka ndikuar në përzgjedhjen e tij, në krye të KPK-së, pozitë kjo të cilën e mori në vitin 2019.
“Nuk është e papritur për shkak të kontributit që kam dhënë në Këshillin Prokurorial, duke pasur edhe detyra të rëndësishme shtetërorë jam përzgjedhur për këtë arsye”, kishte deklaruar ai kohë më parë.
Reagime të ashpra rreth kësaj afere, atë kohë kishte pasur nga Lëvizja Vetëvendosje e në veçanti nga sot Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Haxhiu, kishte thënë se kjo aferë ka shpërfaqur se si kontrollohet sistemi i drejtësisë, si zgjedhën gjyqtarët e prokurorët, si kontrollohen ndërmarrjet publike(lokale, e qendrore) si kontrollohen bordet e agjensionet.
Ndryshe, përpos Bahri Hysenit nga Ministria e Drejtësisë kanë konfirmuar se të angazhuar për hartimin e këtij koncept-dokumenti, do të jenë edhe shumë përfaqësues nga institucionet e drejtësisë dhe institucioneve të tjera, shoqëria civile dhe gjithashtu ekspertë të tjerë të cilët do të kontribuojnë në këtë proces të rëndësishëm për vendin qytetarët”, shkroi Haxhiu në Facebook.
“Për hartimin e këtij koncept-dokumenti, do të jenë: Lulzim Beqiri – Kryesues dhe Feride Podvorica si zv/Kryesuese – Ministria e Drejtësisë (MD), Qërim Ademaj – Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Bahri Hyseni – Këshilli Porkurorial i Kosovës, Besim Kelmendi – Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, Merita Stublla – Emini – Oda e Avokatëve të Kosovës, Alberita Hyseni – Zyra e Kryeministrit, Genc Nimoni – Kabineti i Ministres së Drejtësisë, Noliana Kusari dhe Eris Hana nga Departamenti Ligjor MD, pastaj nga një anëtarë përfaqësues nga institucionet: Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Agjencia Kundër Korrupsionit, pastaj përfaqësues të Shoqërisë Civile si: Kreshnik Gashi – BIRN, Florent Spahija – KDI, Nora Bajrami – FOL, Arton Demhasaj – ÇOHU!, Rreze Hoxha GLPS dhe Gzim Shala IKD”, thuhet në përgjigjen e Kabinetit të Haxhiut.
Në përgjigje theksohet se në grup punues do të ketë edhe përfaqësues të tjerë nga fusha akademike dhe e drejtësisë pasi që vendimi për formalizimin e grupit punues lë hapësirë për një gjë të tillë.
“Në vendim janë formalizuar edhe emrat e përfaqësuesve të institucioneve dhe shoqërisë civile, mirëpo vendimi lejon hapësirën për pjesëmarrje edhe të ekspertëve të tjerë të cilët mund të japin kontribut në këtë proces”, thuhet në përgjigjen e MD