Një burrë dhe djali i tij dyshohet se tentuan ta vrisnin me sëpatë një person në Fier.
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se i dyshuari P.P., 63 vjeç është kapur dhe arrestuar, derisa djali i tij, N.P., 40 vjeç është ende në kërkim.
Viktima ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
“Shtetasi P. P., dhe djali i tij, shtetasi N. P., dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me mjet prerës (sëpatë), shtetasin Ll. M., 58 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit P. P., 63 vjeç, për veprën penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë”, thuhet në njoftimin e policisë.
“Po punohet intensivisht për kapjen e djalit të tij, shtetasit N. P., 40 vjeç, banues në fshatin Shtyllas. U sekuestrua në cilësinë e provës materiale mjeti prerës (sëpatë), me të cilën autorët goditën 58-vjeçarin. Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier”.