Babai i Triumf Rizës, Shefet Riza ka thënë se gjyqësori po vret djalin e tij për të dytën herë. Ai është shprehur i dëshpëruar që tash e 15 vite, sistemi i drejtësisë nuk po nxjerr dënimin për vrasësit e birit të tij.
Polici Triumf Riza ishte vrarë në vitin 2007.
“Unë si prind i djalit tim të vrarë, nuk jam shumë i kënaqur me sistemin e drejtësisë dhe të them të vërtetën po më vjen sikur gjyqësia për së dyti po ma vret djalin. Po na vjen shumë rëndë kjo që ende nuk ka një aktgjykim përfundimtar. Kësaj nuk ia di kush skajin kur mundet me marrë, për shkak se mbrojtësit e palës së akuzuar kanë të drejtë me ligj të ankohen vazhdimisht. Kështu që, më të vërtetë po zgjat. Është një proces që ka zgjatë shumë dhe kur ky proces zgjat kaq shumë, për një polic të vrarë elitar, atëherë nuk e kuptoj me rastet tjera sa zgjasin e qysh zgjasin. Nuk është veç rasti im, po vrasjet e rënda, krimet e rënda duhet shumë më shpejt të zgjidhen”, tha ai në emisionin “Betimi për Drejtësi”.
Për Rizën, është e pakuptimtë se pse procesi gjyqësor i vrasjes së djalit të tij po zvarritet dhe nuk po merret një vendim përfundimtar. Si kryerës i kësaj vrasje është shpallur fajtor Arben Berisha, i cili për vrasjen e policit është dënuar me 35 vjet burgim, dënim i cili është bërë i formës së prerë. Mirëpo, Berisha nuk ishte personi i vetëm i akuzuar për përfshirje në vrasjen e Rizës. Pak vite më vonë ishte ngritur aktakuzë edhe ndaj Enver Sekiraqës, i cili dyshohet se ka shtyrë të dënuarin Berisha në vrasje të policit.