Rrjeti i OJQ-ve AVONET shpreh indinjatë ndaj mosangazhimit dhe mungesës së interesimit të këshilltarëve të Kuvendit Komunal të Ferizajt për të shqyrtuar seriozisht dokumentet e punës së KPF-së në seancën e fundit, pikërisht raportin financiar të komunës në periudhën janar-shtator të këtij viti.
AVONET, konsideron se raporti financiar për periudhën janar-shtator i Ferizajt me përmbajtjen aktuale nuk i përmbush kriteret ligjore të një organizate buxhetore, siç është komuna. Ky raporti përmban vetëm shuma totale të planifikimit dhe shpenzimit për kategori të ndryshme ekonomike dhe në asnjë faqe të tij nuk i përfshin detajet lidhur me shpenzimin e parasë publike gjatë periudhës raportuese.
AVONET thekson se çdo anëtar i KPF-së e ka për obligim të diskutoj për pikat e rendit të ditës në mënyrë që Kuvendit t’i dërgohet secili dokument i plotësuar, mirëpo anëtarët e KPF-së nuk po i trajtojnë këto tema siç ishte rasti i fundit i raportit financiar, i cili pas diskutimit të drejtoreshës për Financa ka kaluar drejtpërdrejt për trajtim në mbledhjen e radhës në Kuvend. Ky raport financiar nuk e ka ndonjë vlerë të kaloj në Kuvend pa i marr vërejtjet dhe sugjerimet e anëtarëve të KPF-së, andaj sugjerojmë që secila pikë të trajtohet me vëmendje dhe përgjegjësi sepse këta anëtar janë të zgjedhur nga populli për përfaqësim.
Poashtu, Ligji për Financat Publike dhe Përgjegjësitë përcakton se raportet e tilla financiare përveç të tjerash, duhet të përbëjnë: një përmbledhje të statusit të të gjitha projekteve kapitale të shpenzimit; mbishkrim të ndonjë deficiti ose deficiti buxhetor dhe mënyra se si janë financuar; detaje të pagesave të borxheve ndaj palëve të tjera, numri faktik i punonjësve të përhershëm dhe të përkohshëm të komunës krahasuar me numrat e autorizuar në buxhet; një raport mbi veprimet e ndërmarra dhe veprimet e propozuara në lidhje me gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm në Raportin Vjetor të Auditimit të pasqyrave financiare, të cilat kryetari i komunës së Ferizajt, nuk i ka prezantuar në dokument.
Rrjedhimisht, ekzekutivi i komunës nuk i ka respektuar urdhëresat e nenit 45 të Ligjit për Financat Publike dhe Përgjegjësitë. Madje nuk i ka respektuar as afatet kohore për raportim në Kuvend. Në anën tjetër, është shqetësues fakti, se anëtarët e Kuvendit Komunal, përfshirë anëtarët e koalicionit shumicë, miratojnë dokumente dhe raporte, të cilat nuk i përmbushin standardet ligjore dhe ato të transparencës, në veçanti në sferën e shpenzimit të parasë publike, përmes mbivotimit.
AVONET në vazhdimësi ka tërhequr vërejtjen për mungesën e rezultateve të punës së Kuvendit Komunal në ushtrimin e mekanizmave të kontrollit ndaj ekzekutivit dhe kërkimin e llogarisë për shpenzimin e parasë publike, ndërsa kalimi i raportit financiar pa një debat të mirëfilltë dhe pa kërkim të llogaridhënies sipas obligimit ligjor është dëshmia më e mirë e cilësisë së punës dhe angazhimit të këtij Kuvendi.
AVONET ju rikujton Kuvendit Komunal, se ai është organi më i lartë vendimmarrës, i cili do të duhej të sigurohej se po zbatohen të gjithë mekanizmat ligjor dhe standardet që promovojnë transparencën financiare të komunës, ndaj do të duhej ishte autoritet i pakontestueshëm për kontrollin dhe mbikëqyrjen e punës së Kryetarit.