Avokati i kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, Jonathan Rees, ka kërkuar sërish që klienti i tij të lirohet nga paraburgimi.
Ai konsideron se s’ka më arsye për mbajtjen e Gucatit në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Avokati i Gucatit, në parashtresën e radhës të dërguar te gjykatësi Nicolas Guillou, nuk ka shkruar më shumë se katër faqe, pasi e ka konsideruar të panevojshme që të argumentohet më shumë për lirimin e klientit të tij.
Ai beson se Gjykata Speciale ka barrë të madhe për ta arsyetuar vazhdimin e mbajtjes së Gucatit në paraburgim.
“Mbrojtja përsërit se sa më gjatë që personi të mbetet në paraburgim, aq më e madhe është barra për Dhomat e Specializuara për të justifikuar vazhdimin e paraburgimit. Supozimi i qartë është në favor të të akuzuarit të jetë në liri. Paraburgimi mund të zgjatet vetëm (i) kur kushtet e rrepta të Nenit 41 (6) të Ligjit vazhdojnë të plotësohen dhe (paraburgimi mbetet rreptësisht i domosdoshëm dhe proporcional duke konsideruar nëse masa të tjera më pak të rrepta sesa paraburgimi mund të ishin të mjaftueshme”, thuhet në parashtresë.
Ai ka thënë se nuk kanë ndryshuar provat dhe arsyetimet e Prokurorisë dhe Gjykatës për ta mbajtur Gucatin ende në paraburgim.
“Sidoqoftë, ZPS tani e ka bërë të qartë se, në gjykim, nuk do, dhe nuk mund, të prodhojë në provë një dokument të vetëm për të cilin ata pretendojnë se Z. Gucati ishte përgjegjës për shpërndarjen, i cili nuk ishte tashmë në domenin publik”, thuhet tutje në parashtresë.
Në shtator, dy ish-krerët e OVL-së së UÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj u arrestuan me urdhër të Gjykatës Speciale. Ata akuzohen për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.