Personazhi i videove të famshme rreth ryshfeteve për Spitalin privat afër QKUK-së, Rrahim Hashimi shfaqet edhe një herë në një aferë tjetër. Kësaj radhe afera lidhet me aprovimin e një kredie të madhe për një biznesmen në Bankën Ekonomike, ku hisen më të madhe të aksioneve e ka Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.
Në këtë bankë, pas Behgjet Paollit me 34 % të aksioneve, në radhë vije Selim Pacolli, me 18 % të aksioneve. E biznesmenit të përmendur në këto audio-incizime që i ka siguruar Insajderi dhe do t’i publikojë të plota, i premtohet që do t`i miratohet një kredi e madhe nga banka e Pacollëve.
Por, para kësaj ai duhej të paguante para të tjera-ryshfet, dhe këtu hynë në lojë Rrahim Hashimi, ortaku i Selim Pacollit, nënkryetarit të Prishtinës.
Derisa, Rrahim Hashimi po përballet me drejtësinë edhe për afera të tjera, përfshirë edhe rastin për të cilin u arrestua biznesmeni kosovar me famë prej mafiozi ndërkombëtarë, Ismet Osmani-Curri, Selim Pacolli në anën tjetër ka konfirmuar që i ka marrë pyetjet e Insajderit për ta komentuar përfshirjen e tij në këtë aferë. I njëjti, deri tash nuk është përgjigjur.
Afera në të cilën përfshihet Selim Pacolli, përmes Rrahim Hashimit lidhet me një kërkesë për kredi që ishte bërë për biznesmenin Sh. N., pronari i “V. N.”, një kompani që për aktivitet bazë e ka tregtinë me shumicë të kafshëve të gjalla si dhe prodhimin e mishit për nevojat e tregut.
Në një bisedë prej mbi 20 minutash në tavolinë, që është një incizim në një ambient të zhurmshëm, palët flasin për shifra milionëshe të qarkullimeve, derisa aty flitet që edhe kërkesa për kredi në Bankën Ekonomike do të jetë deri në 1 milion euro.
Por, për tu proceduar kjo kredi, Rrahim Hashimi kërkon direkt nga biznesmeni Sh. N. që të jepen ryshfet 10-20 mijë euro, varësisht prej momenteve kur zhvillohen takimet dhe bisedat. Për këtë aferë janë zhvilluar disa takime, pjesa më e madhe e të cilave janë incizuar.
“Herën e parë ka ardhur Aliu i ka paguar, herën e dytë tha Shaban kur e bën komisionin diçka tha i qeras, e qysh është me i qeras, e lëmë takimin me Selimin (Pacolli). Thirri, tha jam ardhur me Selim Pacollin”, dëgjohet në këto përgjime, që folësit nuk identifikohen qartë.
Në këto përgjime të përfshirët në aferë flasin edhe për takime që vetë nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli ka zhvilluar me biznesmenin Sh.N..
“Selimi tha, Shaban po ta bëjë një takim me Fatosin (Fatos Krasniqi, drejtor në Bankën Ekonomike), edhe Selimi nuk e bëri takimin me Fatosin po ka ardhur me vëllain (nuk tregohet me cilin vëlla) e me Fatosin në Deçan, për hir të asaj që më tha se e kam shok, në sy i ka thënë ‘jam dorzan i Shabanit, prej aty asnjë gjë nuk e bën pa mua’”, zbulohet tutje në audio-inçizim.
Aty bëhet me dije po ashtu se punën e kësaj kredie ky grup, ku përfshihet edhe Selim Paolli, nuk donin ta bisedonin në zyrat e Bankës Ekonomike, por më shumë e kishin lënë që të diskutohej si aferë nëpër restaurane e kafiteri.
“Selimi i ka thënë Fatos ‘ne jemi ardhur që të bisedojmë për biznes, unë s’kam të bëjë, ty t‘kam bërë drejtor, unë jam pronari i saj”, thuhet tuje në audio-inçizim.
Në takime të tjera, ku kryesisht dëgjohet duke folur ortaku i Selim Pacollit, Rrahim Hashimi, ky i fundit u thotë që kredia prej 1 milion eurosh është gati, pos duhet të jepet ryshfeti.