Në Kosovë, sot për herë të parë nuk është shënuar asnjë rast pozitiv me Covid-19 që nga paraqitja e tij më 13 mars, transmeton Klan Kosova.
Këtë e bëri të ditur Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili deklaroi se sot nga IKSHPK-ja u realizuan 138 testime prej të cilëve asnjë rast nuk doli pozitiv.
“Forca e madhe e vullnetit tuaj vajza e djem, burra e gra, mjeke e mjekë, infermiere e infermierë, policë e police, inspektore e inspektorë, e bëri të mundur këtë rezultat”.
“Kordinimi me Kryetarët e Komunave dhe degëve të Institutit e laboratorit, përkushtimi i vullnetarëve dhe vigjilenca e Klinikës infektive në trajtimin e rasteve e vendos Republikën e Kosovës në një situatë shpresëdhënëse përballë virusit”.
Vitia deklaroi se si në të gjitha vendet, edhe Kosova i është futur në një normalitet të ri me të cilin thotë se duhet të mësohen të gjithë.
“Distanca fizike, përdorimi i maskave, shmangja e tubimeve, janë të domosdoshme që ta fitojmë këtë betejë”.
“Çdo shkujdesje, shpërqendrim apo relaksim dhe kthim në zakonet si para virusit mund të na kushton, madje edhe rëndë”.
“Në anën tjetër për këta muaj, përmes fondeve të Qeverisë, ndihmës nga miqtë tanë, disporës e shumë organizatave kemi siguruar dhe po sigurojmë mjete të mjaftueshme dhe të domosdoshme për mbrojtje dhe rritje të kapaciteteve tona”.
“Vepruam bashkë dhe po fitojmë bashkë. Të vazhdojmë të kujdesemi bashkë”, ka shkruar Vitia në rrjetin social Facebook.