Policia e Kosovës ka njoftuar se dje ka realizuar një operacion të koduar “Freeshop”, gjatë të cilit kanë arrestuar tre persona të dyshuar, një prej tyre zyrtar policor.
Atyre u janë gjetur 370 gramë substancë narkotike, një peshore, tri thika dhe 4870 euro para të gatshme.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në kuadër të parandalimit dhe luftimit të pa kompromis të abuzimit me substanca narkotike, pas hetimeve disa mujore në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë, dje më 29.10.2024, ka realizuar operacionin e koduar me emrin “Freeshopi” me ç ‘rast janë arrestuar tre (3) persona të dyshuar, njëri nga ta zyrtar policor. Gjatë realizimit të planit taktik antidroga e Policisë së Kosovës e mbështetur edhe nga njësitet për reagim të shpejtë (NJRSH) tek personat e dyshuar dhe gjatë kontrollit në trup dhe në lokacionet të tyre ka gjetur sasi e substancave narkotike me peshë rreth 370 gram, një peshore, tri thika dhe para të gatshme (4870) euro.”
Për përfshirjen e zyrtarit policor është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës.
Tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
“Në konsultim me Prokurorin nga Departamenti i Krimeve të Rënda është iniciuar rasti dhe tre personat e dyshuar dërgohen në qendrën e mbajtjes për proceduar të mëtejme ligjore. Rasti mbetet të hetohet nga antidroga e Policisë së Kosovës (PK), Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prishtinë. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për luftimin e të gjitha veprave penale dhe arrestimin dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të të gjithë personave të dyshuar, pavarësisht rolit dhe funksionit që kanë.”