Shkencëtarët më të njohur nga Amerika, Kanada, Izraeli dhe në Europë nuk po munden ta gjejnë ilaçin për shërimin ndaj koronavirusit, ata po thonë se vaksina është akoma në fazën testuese dhe pritet që edhe disa muaj të lëshohet për përdorim, por ka dikush nga Gjilani po thotë se e ka gjetur ilaçin ndaj COVID-19, shkruan Telegramisot
Një mjek popullor nga Gjilani po pretendon se ka gjetur ilaçin për shërim nga koronavirusi, madje mjeku Kadrush Abazi po kërkon vullnetarë për ta provuar barin, që ai pretendon se e shëron COVID-19.
Mjeku Abazi kishte publikuar në Facebook recetën e famshme, për ta bërë më të besueshme zbulimin e tij ai ia kishte bashkangjitur një vendim të Ministrisë së Tregtisë, ku thuhet se atij ju njihet patenta për një ilaç bimor që shëron bajamet dhe e lidhte atë me COVID-19.
Por, i gjithë ky hov nga mjeku popullor nga Gjilani rezultoi me arrestim dhe dërgim për 48 orë burgim nga Policia e Kosovës.
Prokuroria Themelore në Gjilan e ka ndaluar mjekun popullor nën dyshimin për veprën penale ‘Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’, shkruan Gazeta Metro.
Përveç arrestimit të tij, policia ka konfiskuar edhe barin dhe do të dërgohet për analizë në Institutin Bujqësor të Kosovës
Kujtojmë se situata në Kosovë po bëhet më alarmante pasi po kalon në një përballje jo të lehtë kundër koronavirusit, ku deri tani ka shkuar në 423 numri total i të prekurve dhe 9 persona kanë vdekur nga COVID-19.//